Transmetuar më 16-08-2023, 09:45

Bie në pranga autori që plagosi inspektorin e policisë në Himarë.

Ka marrë fund arratia e 60-vjeçarit Thodhori Mërkuri, i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me thikë policin Redin Caushaj.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 pranë kthesës së fshatit Pilur.

Mësohet se Redin Caushaj, punonjës policie është goditur me thikë pasi ka ndërhyrë për të ndaluar një konflikt mes disa personave.

28 vjeçari, me detyrë inspektor i policisë së zonës Lukovë, ishte duke kaluar në rrugë jashtë shërbimit të orarit kur ka parë personat që po ziheshin dhe ka ndërhyrë menjëherë.

Por në momentin që ka ndërhyrë, 60-vjeçari Thodhori Mërkuri e ka goditur me thikë dhe për pasojë polici është në gjendje kritike për jetën. Autori u largua menjëherë duke përfituar nga errësira, por pas disa orësh kërkime, policia ka arritur që ta lokalizojë dhe ta prangosë.

Policia informon se ‘menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.

Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ngjarja

Rreth orës 23:00 të datës 15.08.2023, te kthesa e fshatit Pilur, disa shtetas kanë qenë duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, shtetasi R. C., 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, jashtë orarit të shërbimit, ka qenë duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Gjatë përpjekjes së punonjësit të Policisë, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, shtetasi Th. M. e ka goditur me mjet prerës thikë punonjësin e Policisë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd