Transmetuar më 15-08-2023, 15:37

TIRANË- Etjon Lazri, 35-vjeç, i shpallur në kërkim pasi aksidentoi për vdekje 2 persona, është vënë në pranga. Ai u vu në pranga në qytetin e Elbasanit.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar 35-vjeçarin, me 7 vjet e 4 muaj burgim, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë 2 viktima.

Policia e kryeqytetit informon se ‘finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar "Catch", për kapjen e një shtetasi në kërkim. I kërkuari, i dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë 2 viktima. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Catch".

Si rezultat i këtij operacioni, në Elbasan, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim Etjon Lazri, 35 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar 35-vjeçarin, me 7 vjet e 4 muaj burgim, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, me pasojë 2 viktima.’