Transmetuar më 15-08-2023, 14:15

Zbardhen detaje të reja nga operacioni policor i koduar “Punisher 2” në kryeqytet. Gjatë aksionit u sekuestruan 11 mijë doza ekstazi që kapnin shifrën e 400 mijë euro.

U arrestuan edhe 5 persona, 2 prej të cilëve ishin shtetas kosovarë. Njëri prej tyre është Besnik Mujeci, i cili është aktivist i Lëvizja Vetëvendosje. Mujeci është banues në Prishtinë dhe në zgjedhjet e fundit për Asamblenë Komunale mori 608 vota.

Dozat e ekstazisë vinin me autobusë nga Prishtina në Tiranë dhe shpërndaheshin në lokalet e natës në bllok apo në plazhet e jugut. Shtetasit u arrestuan në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, ku u gjetën së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike.

Pas lajmit se mes të arrestuarve është pjesë dhe një aktivist i Vetëvendosjes erdhi dhe reagimi për mediat kosovare nga Egzon Ademi. Ai bëri me dije se "nëse gjithçka vërtetohet për Mujecin atëherë ai do të përjashtohet menjëherë nga VV".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd