
Philipp Lahm, ish-lojtari i Bayern Munich dhe drejtor i "Euro 2024", e ka të qartë se Pep Guardiola ka qenë një shtyllë kyçe në karrierën e tij për shkak të ndikimit. Gjermani ka qenë plot lëvdata për të. Lahm, një legjendë gjermane e futbollit dhe kampion bote i vitit 2014, ndau mendimet e tij gjatë një tryeze diskutimi me mediat.
Lahm theksoi se mbërritja e Guardiolës në stolin e Bayern Munich solli me vete një revolucion në mënyrën e të kuptuarit të futbollit dhe të luajturit të tij. Sipas gjermanit, trajneri katalanas prezantoi konceptin e lojës me pozicione dhe një shpërndarje të qartë të roleve në fushë: "Guardiola arriti të nxirrte më të mirën nga secili lojtar duke i dhënë një kontekst të duhur në sistemin e lojës".
Më tej, Lahm theksoi se skuadrat e Guardiolës përcjellin thelbin e tij dhe janë lehtësisht të identifikueshme nga stili i tyre dallues, diçka që bëhet mjaft e qartë duke parë skuadrat e trajnerit spanjoll duke luajtur.
Një nga pikat më të habitshme të deklaratave të gjermanit ishte zbulimi se si Pep ndikoi në pozicionin e tij në fushë. Pas një karriere 10-vjeçare si mbrojtës i djathtë dhe i majtë, Guardiola i caktoi atij një pozicion të ri si mesfushor-mbrojtës. Lahm e konsideroi këtë tranzicion një moment interesant në karrierën e tij, pasi zbuloi një pozicion të ri dhe një mënyrë tjetër për t’iu qasur lojës së futbollit.
Ish-lojtari ndau gjithashtu vlerësimin e tij për mentalitetin dhe përgatitjen e Guardiolës për ndeshjet. Lahm përmendi se i pëlqente shumë të luante nën drejtimin e trajnerit spanjoll, pasi vlerësoi qartësinë në shpërndarjen taktike të ekipit, analizën e përpiktë të kundërshtarëve dhe mënyrën e përgatitjes së ndeshjeve.
E gjithë kjo kontribuoi që lojtarët të hynin në ndeshje me besim dhe vendosmëri: "Te Bayerni, në tri vitet e Guardiolës, i kemi dominuar ndeshjet. Ne luanim njësoj në ‘Allianz Arena’ dhe në Madrid, kundër skuadrave më të mira apo më të këqija… Ky është stili i Pep Guardiolës".
Respekti dhe admirimi i Lahm për Guardiolën janë të dukshme në fjalët e tij, teksa nënvizon sesi trajneri spanjoll la gjurmë të pashlyeshme në mënyrën e të kuptuarit dhe të shijimit të futbollit.
Pavarësisht se nuk arriti të fitonte kompeticionet evropiane, Lahm kujtoi se dominimi i Bayernit në Bundesligë dhe qëndrueshmëria në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve gjatë epokës së Guardiolës treguan stilin dhe qasjen e tij të suksesshme.