Transmetuar më 15-08-2023, 11:14

Një qendërmbrojtës, një mbrojtës i majtë dhe një qendërsulmues. Këto janë tri profilet që Milani dëshiron të sjellë në shtëpi për ta përfunduar merkaton e verës. Tashmë ka pasur shumë goditje, por nuk ka mbaruar ende. Qëllimi te kuqezinjtë është t’i japin më shumë thellësi skuadrës së Piolit.

Radarët janë të përqendruar mbi të gjitha te sulmi ku, pasi të jenë rregulluar krahët, Olivier Giroud mbetet në fakt i vetmi sulmues i parë i vërtetë. Në grupin aktual është edhe Lorenzo Colombo, por 21-vjeçari do të huazohet (Cagliari dhe Genoa në “pole position” për ta pasur), rrjedhimisht duhet afruar një tjetër sulmues.

Kohët janë të ngushta, kështu që drejtuesit e kuqezinjve lëvizën paraprakisht duke kërkuar nga Chelsea informacione mbi Armando Brojën, i cili bëri më të mirën në karrierën e tij në “Eredivisie” me fanellën e Vitesse, në sezonin 2020-2021 (11 gola në 34 paraqitje).

21-vjeçari shqiptar, në kërkim të rinisjes, pas këputjes së ligamentit të kryqëzuar të gjurit dhjetorin e kaluar, është emri më i mirëpritur te “Djalli”. Formula e preferuar do të ishte ajo e një huazimi me të drejtë blerjeje, por për momentin blutë po bëjnë “bllok”.

Londinezët presin evolucionin e merkatos, edhe nëse operacionet e shumta në aksin Londër-Milano iu japin shpresë kuqezinjve. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Alternativa e Brojës përfaqësohet nga Hugo Ekitiké, sulmuesi i PSG-së, i cili luajti 8 minuta mbrëmjen e së shtunës së kaluar kundër Lorient, në Ligue1.

Parizienët e konsiderojnë të tepërt, por sulmuesi i datëlindjes 2002 është vetëm në shitje, jo huazim. Duhen 30 milionë euro për ta blerë, shumë në këtë fazë. Milani po e monitoron atë dhe ndoshta po pret që të vijnë ditët e fundit të tregut të transferimeve për ndonjë “okazion”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd