Sot në Policinë e Kosovës do të protestojnë Flota Operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ për të shprehur pakënaqësitë për pagat, përkatësisht për mos rregullimin e vlerës së koeficienteve sipas pozitave të tyre.
Lajmin e ka bërë të ditur për KosovaPress kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, i cili theksoi se kjo protestë do të ndikojë edhe në punën e Policisë së Kosovës, sipas të cilit nuk mund të funksionojnë pa këto dy grupe.
Zeqiri tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka tre muaj prej kur ka premtuar se do të rregullojë vlerën e koeficientit për punëtorët, por që, siç tha ai, ende nuk ka asgjë në këtë drejtim.
Ai thotë se për këtë çështje ka dërguar shkresë për takim edhe tek Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Sipas tij, numri i punëtorëve që do të protestojnë është rreth 100. Zeqiri tha se këtyre punëtorëve iu ka humbur durimi të presin më gjatë.
Ai në fund shtoi se me Ligjin e punës, zyrtarët policorë nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë. Ligji për paga, i cili është në fuqi nga muaji shkurt, kishte përcaktuar vlerën e koeficientit të pagës në sektorit publik prej 105 euro.
Megjithatë, me 7 prill Avokati i Popullit e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për paga.
Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunal të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd