Transmetuar më 13-08-2023, 08:22

Presidenti i Kroacisë tha sot se nëse autoritetet greke vendosin të mbajnë ende në burg të 100 të arrestuarit për ngjarjen e ndodhur në Nea Filadelfia, atëherë kemi të bëjmë me hakmarrje, siç tha ai.

Reagimi erdhi pasi policia greke arrestoi më shumë se 100 persona në kuadrin e një hetimi mbi vdekjen e një tifozi vendas.

Kryetari i shtetit kroat tha se pret që të identifikohen sa më shpejt përgjegjësit për vdekjen tragjike të 29-vjeçarit Michalis Katsouri.

“Policia ka të drejtë t’i ndalojë të dyshuarit dhe ti mbajë në paraburgim për pesë ditë. Pavarësisht se si kanë hyrë në vend, kanë shkuar të bëjnë telashe dhe kjo sjellje nuk justifikohet, është thjesht e papranueshme. Megjithatë, qytetarët kanë të drejtat e tyre. Sa i përket rrethanave të vrasjes, ato ende nuk janë sqaruar dhe nuk janë bërë të ditura”, ka thënë Milanoviç.

“Nëse autoritetet greke do të mbajnë 100 tifozët ende në paraburgim, mendoj se do të tregonin se kemi të bëjmë me një hakmarrje kolektive”

"Shumica dërrmuese e tyre duhet të lirohen. Nëse i mbajnë që të gjithë do të jetë si vendosje e ligjit ushtarak”, tha presidenti kroat, deklaratë që të risjell në vëmendje ligjin ushtarak grek që zgjati shumë vite 4 dekada më parë.

Ndërkohë prindërit e tifozëve të Dinamos i kanë dërguar një letër qeverisë kroate, duke kërkuar nga shteti që të ndërhyjë në këtë rast:

"I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës së Kroacisë, Qeverisë së Republikës së Kroacisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore për të ndihmuar qytetarët kroatë jashtë vendit.

Ju lutemi bëni gjithçka për të siguruar që fëmijët tanë të marrin të gjithë ndihmën diplomatike dhe juridike që zakonisht u ofrohet qytetarëve tanë të arrestuar në një vend të huaj".

Shumica e të arrestuarve janë 18, 19 ose 20 vjeç.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd