
Pak orë para nisjes së rrugëtimit të PSG-së në Ligue 1, sezonin e ri, Luis Enrique ka marrë vendimin që të mos thërrasë tri “peshat e rënda” të skuadrës së tij. Marco Verrati, Kylian Mbapé dhe Neymar Jr nuk do të jenë në listën e skuadrës pariziene për t’u përballur me Lorient, ndeshje që do të zhvillohet këtë të shtunë, prej orës 21:00.
Pas deklaratave të Luis Enriques se “asnjë lojtar nuk është mbi klubin”, trajneri spanjoll ka vendosur t’i bëjë fjalët realitet; pra të mos ketë tre titullarët e cituar më sipër në debutimin e Ligue 1. Rastet e Mbappé dhe Neymar konsiderohen më të famshmit.
Neymar ka njoftuar klubin për qëllimin e tij, do të largohet nga Parisi këtë verë, gjë që ia ka komunikuar edhe trajnerit. Braziliani po rikuperohet gjithashtu nga një proces viral që e ka detyruar të stërvitet larg shokëve të skuadrës dhe në ambiente të mbyllura.
Ishte e qartë se ‘Lucho’ nuk do ta llogariste atë për ndeshjen e sotme inauguruese të kampionatit francez. Sipas burimeve pranë PSG-së, Neymar nuk do të luajë më me fanellën e skuadrës pariziene, duke pritur që të zbardhet e ardhmja e tij.
Rasti i Mbappes është më i çuditshëm dhe situata e tij në Paris ndryshon nga ora në orë. Informacionet e fundit sugjerojnë se mund të qëndrojë te PSG, por Al-Khelafi është shprehur tashmë në shumë raste se ka vetëm dy opsione: të rinovojë tani, ose të largohet (të shitet për një shumë monstruoze mbi 200 milionë euro). Ai nuk dëshiron ta lërë të largohet i lirë më 2024.
Marco Verratti është një tjetër lojtar, në proces të zgjidhjes së të ardhmes së tij. Karriera e tij në entitetin parizien mund të ketë përfunduar dhe tani ka në tavolinë oferta nga Arabia Saudite.