Tronditet Ligue 1. Sulmuesi i Monaco dhe i kombëtares së Francës, Wissam Ben Yedder, akuzohet për përdhunim, tentativë përdhunimi dhe sulm seksual. Këto akte penale dyshohet se janë kryer prej tij në rivierën franceze, muajin e kaluar.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokurori i Përgjithshëm i Nice. Sipas këtij të fundit, sulmuesi 32-vjeçar i klubit monegask është vendosur nën “arrest gjyqësor” dhe më pas do të lirohej me një garanci prej 900 mijë eurosh.
Në këtë aferë do të përfshihej edhe vëllai i vogël i futbollistit, i denoncuar dhe proceduar për të njëjtat krime nga policia gjyqësore e Nice, që po kryen hetimet. Sipas një burimi të afërt me rastin, viktimat e dyshuara janë dy vajza të reja me kombësi franceze, jo banuese në rajonin e Nice.
Faktet nën hetim thuhet se kishin ndodhur 10 korrikun e kaluar, gjatë një mbrëmjeje të kaluar në qytetin e Beausoleil, në portat e Principatës së Monakos. Sipas rikonstruksioneve të hetuesve, vëllezërit Ben Yedder kishin “imponuar akte seksuale” ndaj dy vajzave.
Kampioni i Monaco, i cili sot (12 gusht) do të festojë ditëlindjen e tij të 33-të, u dënua prillin e kaluar nga gjykata e Seville me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 133.798.70 euro gjobë për evazion fiskal. Ndërkohë, lojtari ka qenë duke u stërvitur rregullisht me bashkëlojtarët e tij te Monaco, përpara debutimit të tij në Ligue 1 kundër Clermont.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd