Transmetuar më 12-08-2023, 10:41

Neymar është një hap larg rikthimit te Barcelona, klubi që e shiti më 2017 për shifrën rekord botëror të transferimeve në futboll, 222 milionë euro. Për këtë janë të bindur në Spanjë, ku konfirmojnë marrëveshjen mes brazilianit dhe blaugranëve për sezonin e ardhshëm, me "O Ney" të gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje 2-vjeçare me opsion sezonin e tretë.

Po paga e sulmuesit brazilian? 13 milionë neto në sezon. Një "bombë" merkatoje, pasi PSG përjashtoi brazilianin dhe Verrattin, të dy të thirrur nga Campos, i cili i informoi mbi qëllimet e klubit për t’i shitur ata. Neymar më pas filloi kontaktet me klubin parizien për të gjetur zgjidhjen kontraktuale.

Në fakt, Neymar ka një kontratë që e lidh atë me francezët edhe për dy vite të tjera dhe investimi prej 222 milionë eurosh më 2017 (sa PSG e bleu nga Barcelona) nuk mund të humbet, siç mund të ndodhë me Mbappè. Synimi i klubit parizien do të ishte të mblidhte para nga shitja e brazilianit, i cili megjithatë nuk është më i lumtur të qëndrojë në Francë dhe po përpiqet të çlirohet.

Në pritje të tij, siç raporton "El Chiringuito", është Barcelona, e cila ëndërron rikthimin e madh të "O Ney", por gjithçka është e lidhur nga zgjidhja me PSG-në. Në fakt, me brazilianin ka marrëveshje totale 2+1 vjeçare, prej 13 milionë euro neto në sezon, por hapi themelor mbetet gjetja e marrëveshjes me parizienët. Për momentin biseda është e hapur mes palëve për të gjetur zgjidhjen e duhur.

Te PSG është një revolucion i vërtetë. Luis Enrique në pankinën pariziene e filloi me tensionin e rastit Mbappè dhe vazhdon me një stuhi të re, që po vjen. Në fakt, teksa francezi po stërvitet veçmas, orët e fundit drejtori sportiv Campos ka thirrur edhe Marco Verrattin për ta informuar se është hedhur në treg.

Një zgjedhje, ajo e klubit, e cila konfirmon dëshirën e drejtuesve të Katarit për ta kthyer faqen, me synimin për ta rithemeluar skuadrën dhe arritur objektivin madhor, fitimin e Champions League, që mbetet ende një ëndërr.