
Detaje të reja janë zbarhdur nga ngjarja që po ndodh në fshatin Qesarakë, ku policia ka rrethuar zonën, pasi 62-vjeçari Ramiz Muçollari u izolua në banesë dhe hapi zjarr ndaj tyre.
Mësohet se forcat RENEA kanë mundur të shkojnë deri ne katin e dyte të banesës. ndersa autori eshte zhvendosur në papafingo.
Efektivët shkuan në shtëpinë e 62-vjeçarit pasi ky i fundit plagosi bashkëshorten, Pëllumbesha Muçollari me mjet prerës në këmbë, ndërsa goditi me mjet të fortë në kokë të birin, Kamber Muçollari. Nënë e bir ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë, janë njoftuar se në fshatin Qesarakë, Maliq, shtetasi R. M., 62 vjeç, kishte dëmtuar me mjet prerës në këmbë bashkëshorten e tij P. M., 58 vjeçe dhe me mjet të fortë në kokë djalin e tij K. M., 27 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Korçës, në kujdesin e mjekëve.
Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar drejt adresës së dhënë, ku kanë konstatuar të mbyllur në banesën e tij autorin e dyshuar R. M., i cili është i armatosur me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur të rrethuar banesën dhe kanë marrë masa sigurie, pasi 62-vjeçari ka hapur zjarr në drejtim të Policisë lokale.
Në vendngjarje, kanë mbërritur Forcat Speciale “Renea”, të cilët në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, si dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, po mbajnë të rrethuar zonën dhe po negociojnë me shtetasin R. M., që ai të dorëzohet, por 62-vjeçari nuk ka pranuar dhe vijon të qëllojë në drejtim të forcave të Policisë.
Sipas deklarimeve paraprake të marra familjarëve të tij, dyshohet se shtetasi R. M., vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Operacioni për kapjen e tij, po vijon.