Transmetuar më 12-08-2023, 08:27

"Liga e Mbretit (The Kings League)? Ekziston vetëm falë Interit dhe Bastonit". Zbulimi vjen nga Gerard Piqué, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe ish-partneri i yllit të pop-it Shakira, i cili duke folur në podkastin e Ibai Llanos shpjegoi se çfarë e shtyu atë të krijonte turneun tashmë të famshëm të futbollit me 7 lojtarë (me ish-yje të fushës së madhe, sikurse ka qenë dhe vetë), në të cilin 12 ekipe sfidojnë njëri-tjetrin. Në këtë kompeticion marrin pjesë edhe ish-futbollistë të famshëm si Aguero dhe Casillas.

Në fakt, gabimi që bëri më 12 tetor të vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve kontribuoi gjithashtu për ta bindur spanjollin, tashmë 36-vjeç, që “t’i varte këpucët në gozhdë” në fund të vitit 2022, kur nuk e vuri re Barella pas vetes në një krosim nga Bastoni dhe lëvizi krahët e tij sikur kërkonte qetësi nga shokët e skuadrës, ndërsa mesfushori zikaltër e “falenderoi” dhe shënoi golin për barazimin momental 1-1 të Interit.

Ndeshja, e vlefshme për xhiron e katërt të Grupit C, përfundoi 3-3, me Barcelonën e cila më pas nuk ishte në gjendje të kalonte në 1/8 finale. Pra, ky gabim i Pique, mes të tjerëve, ndikoi që skuadra katalanase të eliminohej shumë herët nga Champions-i. Gjë që përkthehet jo vetëm në dështim sportiv, por edhe humbje e konsiderueshme financiare.

"Po të mos kishte qenë për atë veprim, – konfirmoi Pique, – nuk do të kishte qenë ‘Kings League’. Edhe nëse do të kisha kërcyer, nuk do ta kisha arritur atë top, por nëse nuk do ta kisha bërë atë gjest me duart e mia, njerëzit nuk do të ankoheshin".

Ishte pikërisht ai gjest, ai gabim i kushtueshëm për blaugranat, që e bindi përfundimisht ta linte futbollin e luajtur. Dhe pastaj, direkt, krijoi “Kings League”, një sukses i vërtetë i futbollit më të vogël.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd