Transmetuar më 10-08-2023, 14:35

GREQI- Ditën e premte, deputei grek i Partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos do të vijë në Tiranë. Gjatë vizitës në vendin tonë, Syrigos do të ketë një takim në ambientet e paraburgimit që ndodhet te Qëndra Spitalore e Burgjeve Tiranë (Nënë Tereza). Pas takimit, në orën 12:00, Syrigos do të prononcohet për mediat shqiptare, ku edhe do të zbulojë detaje nga takimi.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në datën 8 Maj me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave. I vendosur në "arrest me burg" që nga prangosja e tij, Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Ndërsa Kokaveshi, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, është lënë në shtëpi.

Për arrestimin e Belerit ka reaguar disa herë Athina zyrtare, e cila ka "premtuar" se çështja do të bëhet një pengesë e madhe në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke pretenduar se arrestimi i kryebashkiakut të zgjedhur ka qenë i padrejtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd