Transmetuar më 09-08-2023, 10:12

Nga ARTAN FUGA

Sa më lart të ngrihet një qytet, aq më shumë ka rënë. Ngrihet lart, sepse po bie poshtë. Bie poshtë, sepse ngrihet lart. Nuk është fare çështje estetike, e pëlqen apo nuk e pëlqen kullën, është arkitetkturë bashkëkohore apo klasike, nuk ka rëndësi fare është te gropa e Ajdinit, apo te gropa e kujtdo tjetër.

Qyteti me kulla është i rënë. Vidhiset. Edhe vidhet. Edhe çvidhoset. Kullat groposin Tiranën. Ky është ligji i pashkruar urban. Nuk ka njeri që e hedh dot poshtë, sikurse nuk hedh dot ligjin e gravitacionit. Nëse nuk është i marrë, ose i marrur!

Prodhojnë papunësi. Zbrazin territorin nga popullsia. Përqendrojnë pasuritë dhe lënë miletin barktharë. Ndosin mjedisin me tymin e makinave. Prodhojnë kancer. Na vjedhin Dajtin, hënën, diellin.

Kullat dhe incineratorët janë pamje të ndryshme të një monedhe. Kullat prodhojnë incineratorët, sikurse incineratorët prodhojnë kullat, dhe të dyja ndosin qytetin, politikën, mushkëritë e miletit. Si thotë një nga historianët më të njohura të urbanizmit: qyteti i ngritur lart është antropofag, pra ha njerëzit.

Po, ka të drejtë! Në një qytet si ai shtohen sëmundjet vdekjeprurëse, ulen lindjet, njerëzit e braktisin duke ia lënë vendin të tjerëve që edhe ata pas disa kohësh e braktisin, qyteti plaket demokrafikisht, obeziteti i njerëzve rritet, ka gjithnjë e më pak mundësi për mjedise sportive.

Qyteti i ngritur lart, ka argumentuar ai, prodhon luftra, prirje për t’u tensionuar me shtetet fqinje, shkatërron edhe gjeopolitikën e një vendi. Kriza që e kaplon e detyron që ta mbulojë gjoja me nacionalizën, ose gjoja me ideologji globaliste. Me një fjalë, kulla është fallusi pas një kombi.

Në fakt, që në kohë të vjetra kullat janë kulturë fallike me të cilën "gostiten" njerëzit. Ato rrisin çmimin e ujit, prodhojnë një qytet të shtrenjtë. Me një fjalë përzënë njerëzit nga territori dhe i vërvisin tutje andej nga La Manshi.

Mos u ngatërroni duke ngrënë sapunin për djathë kur ju thonë të shihni Tokion, Nju Jorkun a tjetër. Janë tipologji të tjera qytetesh ato. Jetojnë nga bankat, etj. Pse budallenj janë perëndimorët që i venë kufirin te thana urbanizmit fallik?!

Betonizojnë. Krijojnë pasqyra betoni dhe hekuri që e nxehin klimën në qytet, aq sa verën tjetër edhe nja pesë ditë nxehtësi si sivjet dhe do të shohim se nuk do gjejmë vrimë ku të futemi!

Kush e trajton çështjen e kullave si çështje estetike: më pëlqen, nuk më pëlqen, ose arkitekturore, jo që nuk kupton asgjë nga filozofia urbane, por nuk kupton as nga ekonomia, pra që kullat po shkaktojnë me anë të zbrazjes së territorit të gjithë mizerabilitetin ekonomik të vendit, varfëri dhe rrënim të periferive.