Transmetuar më 07-08-2023, 14:09

Daniel Levy është një nga negociatorët më të ashpër në futbollin europian dhe këtë e ka treguar sërish në operacionin Bayern-Kane. Pavarësisht se lojtari dhe klubi bavarez kanë një marrëveshje prej disa kohësh, ofertat që vijnë nga Mynihu për të marrë sulmuesin janë refuzuar njëra pas tjetrës nga presidenti i "Spurs".

Presidenti Levy rezistoi edhe para tentativës së fundit të Bayernit, e cila arriti në 100 milionë euro, plus variabla, për një lojtar që i përfundon kontrata në qershor 2024 dhe është 30 vjeç. Përgjigja ishte e njëjtë si gjithmonë: jo. Pavarësisht ultimatumit të shpallur në operacion, nuk ka ndryshim planesh.

Sipas "Daily Mail", refuzimi i Tottenhamit ka zemëruar vetë lojtarin dhe Bayernin, me bavarezët që tashmë po mendojnë alternativa për t’u forcuar pa Kane. Një prej tyre do të ishte Vlahovic, sulmuesi i Juventusit, që është në merkato. Kjo mund ta bëjë çmimin e transferimit shumë më të ulët se ai i Kane, edhe pse ky i fundit ka qenë objektivi numër një për kampionët gjermanë që në fillim.

Refuzimet e Levy dhe Tottenham për ta shitur Kane i kanë frikësuar të gjithë të interesuarit për kapitenin e Anglisë në vitet e fundit. Ka ndodhur me Manchester City dhe së fundi me PSG dhe Bayern Munich. Edhe Real Madridi filloi të lidhej me sulmuesin, por pretendimet e larta të Tottenham e bëjnë të pamundur çdo shitje.