Transmetuar më 05-08-2023, 11:02

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Isuf Elezi”, në një lokal, ndodhej një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Klienti”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi G. N., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve luftarake dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit 36-vjeçarit, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd