Transmetuar më 03-08-2023, 08:20

“Romelu Lukaku është perfekt për lojën e Massimiliano Allegrit”, – shprehet Arrigo Sacchi në faqet e “Gazzetta dello Sport”. – Një futboll antik (i lashtë), të cilin trajneri i Juventusit, më i vëmendshëm ndaj rezultateve sesa ndaj bukurisë, nuk ka ndërmend ta braktisë.

Cili Juventus po lind? Unë do të thoja një ekip fizik, muskulor, i fuqishëm. I shikoj emrat në grupin aktual dhe prurjet e mundshme në merkato dhe gjej këtë linjë të përbashkët: Gatti, Bremer dhe Danilo në mbrojtje janë si male, Rabiot, Pogba (nëse shërohet), Locatelli, i riu Weah dhe Kostic më duken elementë që fokusohen shumë në aspektin atletik.

Edhe në sulm, Allegri do të donte një lojtar të fortë si Lukaku, ndaj është gati të sakrifikojë Vlahovic. Gjithçka më bën të mendoj se trajneri bardhezi nuk ka ndërmend t’i ndryshojë idetë e tij për futbollin. Allegri është një taktik shumë i mirë dhe me siguri do të vazhdojë në këtë rrugë”.

Për lojën e Allegrit, Lukaku është dukshëm më funksional se Vlahovic, sipas profesorit të trajningut italian: “Lukaku, për lojën e Allegrit, është funksional, perfekt për futbollin që Juve synon të ofrojë. Sigurisht, është paksa një futboll i lashtë, i vjetër, kjo është e vërtetë.

Një futboll që nuk përdoret në Evropë, sidomos në garat ndërkombëtare, sepse atje gjithmonë përpiqen të dominojnë në fushë, të shtypin lart, të kenë posedimin e topit. Të gjitha këto gjëra kanë pak interes për Allegrin. Ai synon rezultatin, efektivitetin dhe jo bukurinë në futboll”.

Juventusi, sezonin e ri nuk do të luajë në Kupat e Europës, një avantazh i bukur sipas Arrigo Sacchi: “Juve, ndryshe nga Napoli, Milani dhe Interi, do të jetë në gjendje të kryejë përgatitje të synuara ndeshje pas ndeshje. Të kesh një skuadër muskulare është e rëndësishme për Allegrin, sepse aty ku nuk ia del me lojën e bukur, synon t’ia dalë me fizikun”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd