
Mund të konsiderohet vetëm formalitet kalimi i raundit të dytë eliminator të “Conference League” për Partizanin, sepse kundërshtari ishte vërtet modest. Fitore në të dyja ndeshjet me Atletic Escaldes, 1-0 në transfertë dhe 4-1 në “Arena Kombëtare”, mjaftueshëm për të përparuar në raundin e tretë, atje ku kampionët e Shqipërisë do të kenë punë me letonezët e Valmiera.
Duke bërë analizën e sfidës së fituar mbrëmë me shifrat 4-1, trajneri Zoran Zekic do të nënvizonte para gazetarëve: “Sigurisht që kemi luajtur një ndeshje të mirë, por mund të kishim dhënë edhe më shumë. Për këtë arsye ndryshova skemën vetëm pas 5 minutash lojë.
Jam i kënaqur, por s’duhet të na zërë gjumi pas kësaj fitoreje, sepse na pret një tjetër kundërshtar. Duhet të vazhdojmë përpara me këtë ritëm. Padyshim që do mundohemi t’i korigjojmë disa gabime, kemi 10 ditë kohë në dispozicion.
Valmiera? Kemi të bëjmë me një kudëdrshtar më të fortë se ky nga Andorra. Kam pasur kontakte me disa miq nga Ljubjana për informacion mbi rivalin e radhës, do të punojmë fort për të rregulluar problemet e sotme.
Këtë ndryshim e bëra direkt pas 5 minutash pasi e pashë të arsyeshme të kishim një lojtar më shumë në mesin e fushës. E vendosa Rrapajn që të suportonte Hadrojin, pasi po e shikonim që lojtari me numër 6 i tyre po na hapte probleme. Ne nuk ishim përgatitur për lojën që ata zhvilluan.
Pikërisht ky takim na ka gjetur me disa probleme, operimi i Mensah dhe dëmtimi i Maguete. Mendoj që, nëse skuadra ime do të luajë si kundër Bate Borisov, kemi shumë shanse për t’u kualifikuar më tej”.
Edhe shënuesi i dy golave ndaj Atletic Escaldes, në ndeshjen e mbrëmshme, Tedi Cara, foli për mediat: “Nuk kisha zgjedhje kur hyra në driblim të goli i dytë. Doja ta zgjidhja vetë, sepse kisha shumë lojtarë përpara. Isha me fat që topi shkoi ashtu në rrjetë.
Jam i lumtur sepse jam bërë golashënuesi i Partizanit në kompeticionet europiane. Mendoj se kemi shumë rrugë për të bërë me ekipin. Pavarësisht rezultatit, kishim probleme, edhe pse kundërshtari ishte modest.
Na pret një ndeshje shumë më e vështirë në raundin tjetër. Valmiera është një ekip i fortë dhe duhet ta vlersojmë maksimalisht. Me Skukën ndihesha më mirë se me Mban. E ardhmja ime? Ka më shumë shanse të vazhdojë më tej Partizani se Cara me Partizanin”.