Transmetuar më 01-08-2023, 20:55

Pritet vetëm zyrtarizimi, por tashmë dihet që Xhanluixhi Bufon ka vendosur që ta mbyllë me futbollin e luajtur. Mediat italiane kanë konfirmuar se portieri italian ka marrë vendimin dhe tashmë do ta komunikojë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe konferencës për shtyp.

Në moshën 45-vjeçare, portieri i njohur italian, i cili ka bërë emër me skuadrat e Parmës, Juventusit dhe PSG-së, ka vendosur të varë dorashkat në gozhdë dhe ta mbyllë me fushën e lojës, me një sport ku është kthyer në një nga emrat ikonë dhe vlerësohet ndër më të mirët e historisë.

Bufon në fakt kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Parmën, por mes palëve është gjetur lehtësisht akordi që portieri ta mbyllte këtu. Një karrierë që nisi te Parma në vitin e largët 1995 dhe mbyllet po në të njëjtin klub pas 28-vitesh.

Pjesën më të madhe të karrierës ai e kaloi te Juventusi, nga viti 2001, deri në vitin 2021, duke fituar trofe të shumtë në Itali, por kulmi për të do të mbetet gjithmonë suksesi me fanelën e kombëtares Italiane në Botërorin e vitit 2006.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd