Turneu veror në Japoni për Interin e Simone Inzaghit përfundoi me një fitore prestigjioze. Pas barazimit kundër Al-Nassr të Ronaldos dhe ish-it Brozovic, zikaltrit triumfuan kundër PSG-së 2-1, me përmbysje.
Disfatë për dy ish-lojtar zikaltër, si Hakimi dhe Skrniar, të cilët startuan titullarë ndaj të shkuarës së tyre të afërt. Ndërkohë, sa i takon shqiptarit tonë Kristjan Asllani, ai e nisi këtë miqësore luksi nga stoli dhe u hodh në fushë në minutën e 68-të, në vend të Calhanoglu.
Kjo tregon se në planet e trajnerit Inzaghi, lojtari ynë i kombëtares konsiderohet zëvendësues i parë i turkut, të cilin e ka “graduar” si “regjisior” të lojës së të tijve, pas shitjes së Brozovic.
Pas një pjese të parë të nënshtruar, kampionët e Francës kaluan në avantazh me golin e shkëlqyer të Vitinha, në minutën e 63-të. Megjithatë, Interi nuk u pajtua, e rriti shumë lojën dhe përmbysi gjithçka me golat e Esposito (81′) dhe Sensi (83′). Përcaktues ishte edhe zëvendësuesi Frattesi, autor i dy asistimeve në golat e fitores së zikaltërve.
Kësisoji, Interi përshëndet Japoninë me një fitore. Zikaltrit tani do të kthehen në Itali dhe do të përgatiten për një test të ri para sezonit të ri. Kundërshtari i radhës do të jetë Salzburgu, i cili do të sfidojë Lautaro Martinez dhe shokët e tij më 9 gusht, prej orës 19:00, pastaj testi i fundit gjeneral ndaj Egnatias, më 13 gusht, në orën 20:00, në Ferrara.
https://www.youtube.com/watch?v=jAiwviOtgZE
PSG-INTER 1-2 Golat: 63′ Vitinha / 81′ Esposito, 83′ Sensi INTER (3-5-2): F. Stankovic; Darmian, Acerbi (71′ Bisseck), Bastoni (68′ De Vrij); Dumfries (55′ Cuadrado), Barella (77′ Sensi), Calhanoglu (68′ Asllani), Mkhitaryan (55′ Frattesi), Dimarco (55′ Gosens); Thuram (55′ Correa), Lautaro (77′ Esposito). PSG (4-3-3): Donnarumma; Hakimi, Marquinhos (70′ Danilo Pereira), Skriniar, Hernandez (65′ Kurzawa); Vitinha, Ugarte (80′ Gharbi), Zaire-Emery; Fabian Ruiz (70′ Ndour), Asensio 70′ (Ekitike), Soler.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd