
Futbolli vlonjat dhe ai shqiptar në zi. Pas një ataku kardiak është ndarë nga jeta Anesti Vito, ish-sulmuesi virtuoz i Flamurtarit, kampion i vendit me fanellën kuqezi, në sezonin 1990-1991.
Asokohe, trajner i Flamurtarit ishte Edmond Liçaj, ndërsa protagonistë të suksesit në fushë emra të tillë si Alfred Zijai, Viron Daullja, Elidon Lameborshi, Alfred Zijai, Sokol Kushta, Agim Bubeqi, Gjergji Dema, Erion Mehilli, Gezim Muka, Roland Iljadhi, Luan Birçe, Eqerem Memushi, Rrapo Taho, Viktor Daullja, Latif Gjondeda, Anesti Arapi, Kreshnik Çipi, Bashkim Shaqiri, Ardian Ciruna, Edmond Lutaj, Anesti Vito, Tajar Arapi, Roland Muka, Vasillaq Ziu, Dritan Sadedini, Viktor Paço dhe Gramoz Murati.

E filloi karrierën në vitin 1991 si kampion te Flamurtari, kur ishte vetëm 19 vjeç, dhe më pas mori një tjetër titull në sezonin 1999-2000, këtë herë si pjesë e Tiranës. Anesti Vito kishte lindur në Vlorë, më 19 qershor 1971 dhe i ishte përkushtuar futbollit qysh fëmijë, me skuadrat zinxhir të qytetit të tij, deri te Flamurtari kampion.
Me ekipin e parë vlonjat llogaritet se ka luajtur rreth 100 ndeshje dhe ka shënuar 29 gola, në periudhën 1992-1997. Në vitin 1993 do të huazohej tek Albpetrol, për t’u kthyer te Flamurtari sërish në vitin 1999. Më pas, Vito u transferua te Tirana në vitin 2000, ku luajti një sezon të plotë. Me fanellën bardheblu luajti 20 ndeshje dhe shënoi 8 gola.

Nga skuadra kryeqytetase u kthye të Flamurtari për periudhën e tretë të karrierës kuqezi, 2000–2004, kur luajti 68 ndeshje dhe shënoi 18 gola. Në CV e ish-sulmuesit potent vlonjat figuron edhe huazimi te Tomori i Beratit në vitin 2002. Pra, një karrierë mbresëlënëse si sulmues dhe goleador.
Një jetë e prerë në mes, vetëm 53 vjeç, nga sulmi në zemër. Humbje e madhe për futbollin vlonjat dhe shqiptar. Dhimbje e pamasë për familjen e tij. “NOA” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. U prehsh në paqe Anesti Vito!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





