Transmetuar më 24-07-2023, 10:06

Rrogozhina ka mbetur e majtë. Edison Memolla ka korrur fitore në zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë, duke mundur me shumë vota diferencë kandidatin e opozitës Shkëlqim Hoxha

Sipas të dhënave të KQZ, deri në kutinë e 53 ka qenë ky rezultat: Edison Memolla 6531 vota dhe Shkëlqim Hoxha 4820 vota. Por mësohet se kutia e fundit sapo është numërur dhe pritet azhornimi final.

Votimi i të dielës, 23 korrik, u mbyll në orën 19:00 dhe pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit.

Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e KAS për njohjen e tyre. Ishte Kolegji Zgjedhor që vendosi ripërtëritjen e tyre, duke qenë se pas rinumërimit të kutisë së burgut, doli se rezultati ishte shumë i ngushtë.

Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues. Edison Memolla i Partisë Socialiste fitoi me 5129 vota përkundrejt 5108 vota të Shkëlqim Hoxhës të ‘Bashkë Fitojmë’, me vetëm 21 vota diferencë.

Por këtë herë duket se qytetarët kanë votuar ndryshe, ndoshta duke parë dhe rezultatin e 14 majit në rang kombëtar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd