Policia dhe Prokuroria në Tiranë janë vënë në alarm për dyshimet e helmimit të ujit në zonën e landfillit të Sharrës dhe ka nisur hetim penal për kompaninë koncesionare Integrated Energy, raporton noa.al.
Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan për noa.al se Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka bërë referim proaktiv të veprës penale në Prokurori, me dyshimet për helmim të ujit në zonë.
Nisja e hetimit erdhi nga informacione që policia i ka marrë në rrugë operative.
Këto informacione evidentonin se në zonën e Sharrës në Lumin Erzen, derdhen në mënyrë të pakontrolluar ujërat e rrezikshme që vijnë nga Landfilli i Sharrës, të papërpunuara siç e përcakton ligji dhe kontrata që koncesionari ka me Bashkinë e Tiranës, raporton noa.al.
Uji që vjen nga Landfilli i Sharrës dhe derdhet në lumin Erzen është me ngjyrë të zezë, ka përmbajtje të theksuar të lëndës toksike si dhe përmban lëndë të rrezikshme të metaleve të rënda.
Problemet kryesore që vijnë nga ndotja e lumit janë helmimi/zhdukja e gjallesave ujore, helmimi në mënyrë indirekte ose në formë zinxhiri i popullsisë, kafshëve, blegtorisë së zonave ku kalon ky lumë.
Sipas informacionit nga banorët e Ndroqit, Ramanatit dhe disa fshatra të tjerë, ky ujë përdoret për vaditje të tokave bujqësore, si dhe për ujë të pijshëm për bagëtitë, etj.
Burimet bëjnë të ditur për noa.al se një grup hetimor i policisë ka shkuar këto ditë në Landfillin e Sharrës duke bërë verifikime te kompania koncesionare IEBV SPV shpk.
Në vendngjarje ka rezultuar se në impiantin e trajtimit të mbetjeve në Sharrë, në anen Jugperëndimore të këtij landfilli ndodhen vaskat e trajtirnit të ujit, shkarkimit të tyre në lumë.
Nga këqyrja rezulton se uji qarkullohet me pompa nga këto vaska në venddepozitimin e mëparshëm (puset) ku uji si rezultat i pendencës së terrenit rrjedh natyrshëm në tubacione në vendin e pastrimit të ujit.
Në këtë vend janë tre taraca: e para ka një bllok vaske të gjatë, ndërsa dy të tjerat janë me nga dy vaska secila tarracë me funksione të ndryshme pune për pastrimin e ujit.
Pasi u këqyr dalja e ujërave të Landfillit dhe bizneseve rreth Landfillit, me sy të lirë nuk vihen re prezencë e ndotjes së ujit, të mbetjeve apo ngjyrave të ndryshme.
Por në një pjesë të kanalit shkarkues u vu re prezenca e algave dhe e myshkut. Ekspertët kriminalistë bënë mbledhjen e provave në vendngjarje.
Ndërsa i është marrë procesverbal që tregon rrethanat e hetimit, inxhinieres së mjedisit për Landfiillin.
Më herët, kompania ishte ndëshkuar me 100 mijë lekë gjobë më 19 janar 2022 nga ministria e Mjedisit.
Tani, në Prokurorinë e Tiranës ka shkuar dosja e procedimit penal me akuzën e veprës penale "ndotje e ujit", për administratorin e kompanisë, Herman Daniel Vermeulen.
Sipas këtij neni, "ndotja e ujërave të deteve, lumenjve, liqeneve apo burimeve të rrjetit grumbullues e shpërndarës të ujrave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera, që prishin ekuilibrin ekologjik, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet".
Redaksia e noa.al kërkoi një koment nga kompania koncesionare, por nuk mori një përgjigje deri në momentet e publikimit të këtij raporti. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd