Transmetuar më 15-07-2023, 18:10

Gazeta skoceze "Herald" publikoi të shtunën shkrimin e sponsorizuar: "Zbulimi i Shqipërisë: 10 destinacionet më të mira për eksploruesin skocez".

Artikulli që më poshtë gjendet i përkthyer i plotë nga noa.al, është promovuar dhe nga kryeministri Edi Rama.

Ai thotë se kjo është "jehona e radhës për Shqipërinë turistike që vjen nga Skocia që sipas Ramës, "si asnjëherë deri më tani gjiganti mediatik “The Herald” i dedikon këta rreshta me përshkrime entuziaste të intinerareve që fillojnë nga Bjeshkët e veriut, deri te Gjirokastra dhe Butrinti, me ftesën e parefuzueshme për të gjithë skocezët që ta shijojnë Shqipërinë në maksimum".

Shkrimi i plotë

E anashkaluar prej kohësh, Shqipëria tani po shfaqet si një destinacion unik dhe emocionues për udhëtarët skocezë, pasi janë shtuar fluturimet me buxhet ekonomik që lidhin dy vendet.

Si një nga perlat e fshehura të Evropës, ky vend ballkanik mbetet kryesisht pa turma, duke ruajtur një autenticitet që shpesh ka humbur në destinacione më të njohura.

Për më tepër, Shqipëria ofron një përzierje plazhesh mesdhetare, arkitekturë osmane dhe peizazhe mahnitëse malore, të gjitha të arritshme për eksplorim.

Dhjetë mrekullitë e Shqipërisë: Nga vendstrehimet bregdetare në pikat e nxehta historike

Shqipëria është një mikrokozmos i vërtetë i Mesdheut, që përfshin plazhe të pacenuara, monumente historike dhe jetë nate mjaft të gjallë.

Ju mund të gjeni disa bukuri natyrore të jashtëzakonshme të patrazuara, të ktheheni prapa në kohë duke eksploruar rrënojat e lashta ose të provoni lokalet që lulëzojnë në Tiranë.

Duke pasur parasysh të gjitha këto, le të thellohemi në 10 atraksionet dhe destinacionet që nuk duhet të humbisni ndërsa shijoni aventurën tuaj shqiptare.

Relaks / Riviera në Plazhin e Dhërmiut

I ndodhur përgjatë Rivierës Shqiptare, Plazhi i Dhërmiut u ofron vizitorëve rërë të bardhë të pacenuar, ujëra të pastra kristal dhe bukuri natyrore të paprekur. I veshur me shpella dhe limane të fshehura, ky plazh konsiderohet si një nga më të mirët në vend.

Berati, qyteti i njëmijë dritareve

Berati (Foto: Getty Images)

Berati është një qytet unik, i fortifikuar që ofron një udhëtim nëpër histori me arkitekturën e tij otomane me gurë të bardhë, të ruajtur mirë, mbrojtur nga UNESCO.

Dritaret e veçanta të qytetit kanë krijuar një horizont magjepsës që ju sjell në imagjinatë, të kaluarën e Shqipërisë. Disa nga atraksionet më të dukshme përfshijnë Kalanë e Beratit në majë të kodrës dhe Muzeun Ikonografik Onufri, kushtuar artit bizantin.

Aventurë në lartësi të mëdha në Alpet e Shqipërisë

Ky Park Kombëtar mahnitës i Alpeve të Shqipërisë ofron një arratisje emocionuese për entuziastët e natyrës. Shtigjet e saj sfiduese, ujëvarat befasuese dhe fshatrat tradicionale malore ofrojnë një përvojë autentike të malësisë. Vetëm sigurohuni që të keni kujdes nga arinjtë e zinj vendas!

Mrekullia arkitekturore: Piramida e Tiranës

Piramida e Tiranës, dikur një muze kushtuar udhëheqësit afatgjatë komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, është një strukturë ikonike që simbolizon historinë komplekse të vendit. Edhe pse një monument i diskutueshëm për shumë vite, u vendos në vitin 2017 që kjo pjesë e jashtëzakonshme e arkitekturës të rinovohej dhe jo të prishej.

Piramida sot

Kohët e fundit ajo u shndërrua në një qendër IT rinore për Teknologjitë Kreative, e cila hapi dyert në maj 2023. Ngjitni një nga shkallaret e shumta në muret e piramidës për një pamje spektakolare të Tiranës dhe disa foto të shkëlqyera.

Rrënojat madhështore të Parkut Kombëtar të Butrintit

Shtëpia e rrënojave të qytetit antik të Buthrotum, Parku Kombëtar i Butrintit është një tjetër vend i bukurisë natyrore që ofron gjithashtu një vështrim në të kaluarën e pasur historike të rajonit.

Një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, ky vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s krenohet me mbetjet e ruajtura mirë të qytetërimeve greke, romake dhe bizantine. Ju mund të vizitoni një teatër romak, muret e qytetit të lashtë dhe madje edhe mbetjet e 2 kështjellave, të gjitha të vendosura midis një pylli të qetë.

Izolim magjepsës në ishullin e Sazanit

Dikur një bazë ushtarake, ishulli i Sazanit është tani një destinacion intrigues, duke ofruar një përzierje unike të bukurisë natyrore dhe historisë së Luftës së Ftohtë. Ishulli ka një vijë bregdetare kryesisht shkëmbore, por gjithashtu krenohet me plazhin e mrekullueshëm Admiral dhe disa resorte luksoze [që gjenden jo larg (shënim i përkthyesit)]. Mos e humbisni mundësinë për t’u zhytur në ujërat e ishullit duke zbuluar një botë magjepsëse nënujore ku gjenden anije të mbytura dhe jeta detare.

Jeta e natës, sa e gjallë në ish Bllokun e Tiranës

Nëse jeni duke kërkuar për një natë të mrekullueshme në qytet ndërsa jeni në Shqipëri, ish Blloku në Tiranë është një vizitë e domosdoshme për t’u bërë. Dikur ekskluzivitet për elitën komuniste, zona tani është e mbushur me bare, klube dhe restorante në modë që janë të hapura për të gjithë, duke ofruar një pjesë të gjallë të kulturës moderne shqiptare.

Gjirokastër: Qyteti i Gurit

Hyni në një libër historie të gjallë në Gjirokastër, qytet i vendosur në jug të Shqipërisë. I njohur si “Qyteti i Gurit”, rrugët me kalldrëm të Gjirokastrës dhe qyteti i vjetër i ruajtur bukur ofrojnë një dritare në një epokë të shkuar. Mos e humbisni Kalanë mbresëlënëse të Gjirokastrës, e cila ofron pamje panoramike mbi qytet dhe më gjerë.

Diell, det dhe rërë në Ksamil

I vendosur pak larg Rivierës Shqiptare, fshati piktoresk i Ksamilit është i njohur për plazhet e tij të mrekullueshme. Ishujt e Ksamilit në afërsi të bregut janë gjithashtu një arrati e përsosur për ata që kërkojnë prehje duke bërë banjo dielli dhe për t’u zhytur në ujëra të pastër kristal.

Liqeni i Komanit dhe Fierzës me traget

Përfundoni udhëtimin tuaj duke marrë tragetin Komani përmes një rrjeti liqenesh dhe shkëmbinjve dramatikë në veri të Shqipërisë. Ky udhëtim mahnitës shpesh krahasohet me fjordet norvegjeze, duke dhënë një mbyllje relaksuese për aventurën tuaj shqiptare.

Me fluturimet direkte për në Shqipëri nga Edinburgu, tani më të aksesueshme se kurrë, skocezët tani mund të zbulojnë këto përvoja të jashtëzakonshme shqiptare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd