Transmetuar më 30-06-2023, 12:45

Përfundon me sukses Edicioni i 27-të i Olimpiadës Ballkanike të Matematikës për të Rinj – JBMO 2023, Shqiperia fiton 3 medalje Bronzi

Më 28 Qershor u mbyll me sukses Edicioni i 27-të i Olimpiadës Ballkanike të Matematikës për të Rinj – JBMO 2023, i dyti që Shoqata Shqiptare e Matematikës – AMA si përfaqësuese zyrtare e MASSEE organizoi dhe priti në vendin tonë në harkun 24 vitet e fundit.

Ekipi shqiptar fitoi 3 medalje Bronzi në JBMO 2023 nga nxënësit e talentuar Sigi Zalla-Durrës, Jamarbër Rushitaj-Vlorë dhe Ajsel Budlla-Tiranë.

Prej datës 23 deri më 28 Qershor AMA bëri bashkë në Tiranë 19 ekipe të vendeve zyrtare dhe mike.

JBMO 2023 pati mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit si edhe të institucioneve, organizatave dhe bizneseve në vend e Kosovë si Credis Bank, por edhe institucione publike.

 Fituesit e kësaj olimpiade u kurorëzuan në ceremoninë e dhënies së cmimeve e cila u mbajt me 27 Qershor në mjediset e qëndrës kulturore pranë Katedrales Ortodokse ku ishin të pranishëm diplomatë të përfaqësive të disa shteteve.

Në këtë ceremoni u shpërndanë 44 medalje Bronzi, 25 medalje Argjendi dhe 11 medalje Ari. Momenti më i vecantë i JBMO 2023 ishte kurorëzimi me Pikë të Plota (Perfect Score) i Damjan Davkov-MV.

Gjatë qëndrimit të tyre ekipet vizituan Muzeun Historik Kombëtar dhe qendrën e Tiranës si edhe qytetin dhe kalanë e Beratit.

Krahas JBMO, Shoqata Shqiptare e Matematikës (AMA) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë (MAS) dhe Shoqërinë e Matematikës për Europën Juglindore (MASSEE) realizon pjesëmarrjen e Shqipërisë në konkurrime të rëndësishme ndërkombëtare me arritje spikatëse ndër të cilat përmendim:

Olimpiadën Ballkanike të Matematikës (BMO), Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Femra (EGMO), Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO).

AMA bashkëpunon ngushtë edhe me shoqatën simotër dhe matematicienët e Kosovës prej vitit 2020 realizon me sukses KAMO- Kosovo-Albania Mathematical Olympiad (KAMO).

KAMO 2023 do të zhvillohet në Tiranë në data 18-21 Korrik 2023.

https://noa.al/lajmi/2023/06/2391517.html

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd