Transmetuar më 30-06-2023, 10:57

Është zbardhur ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shkodër, ku dy shtetas vendosën lëndë eksplozive në garazhin e automjeteve të një shtetasi.

Policia ka bërë të mundur identifikimin e dy autorëve, të identifikuar si Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj, të cilët vendosën lëndë eksplozive në garazhin e 52-vjeçarit Agim Uraj.

Të dy autorët rezultojnë që janë ish-futbollistë, por që duket se i janë futur botës së krimit. Ata janë shpallur në kërkim dhe autoritetet po punojnë për kapjen e tyre.

Policia njofton se ‘strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të DVP Shkodër dhe me Prokurorinë e Shkodrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “10 Korriku”, Shkodër, ku në derën e garazhit të automjeteve, në pronësi të shtetasit A. U., shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Vjedhja”.’

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd