
Taulant Xhaka njihet për grintën e tij në fushën e lojës. Fundja, ka gjak shqiptari ndër vena, ndaj jep gjithçka në “betejë”. Me të drejtë është konsideruar “luftëtari”, sepse nuk kursen asgjë në funksion të fitores, qoftë kjo në nivel klubi, apo dikur me kombëtaren shqiptare.
Në maj, mesfushori i FC Basel u përfshi në një incident, me pasojë pezullimin 7+1 ndeshje. Xhaka goditi me kokë në gjoks futbollistin kundërshtar, në nerva e sipër, duke përsëritur skenën ikonike të finales së Botërorit 2006, kur Zinedine Zidane goditi me kokë në gjoks Marco Materazzi.
Tabloidi helvet “Blick” i ka kushtuar një shkrim atij momenti, ka pyetur Taulantin pse ndodhi ashtu dhe ka hedhur dritë mjaftueshëm nëse futbollisti shqiptar është penduar apo jo. Ja shkrimi i plotë:
“Jo, Taulant Xhaka (32 vjeç) nuk është vërtet një lojtar i padrejtë. Kurdoherë që një kundërshtar është poshtë, luftëtari i FCB është një nga të parët që e ndihmon. Edhe nëse futet në një duel me gjakta të ndezura, menjëherë kërkon falje. Emocione? Po! Sjellje jo sportive? Shumë rrallë.
Mjaft e habitshme duket që Xhaka i shpërtheu të gjitha siguresat në ndeshjen kundër FCZ, në fillim të majit. Fillimisht kapi në fytyrë kundërshtarin Marchesano, më pas goditi me kokë në gjoks Nikola Katic. Xhaka imitoi atë që bëri Zidane në finalen e Kupës së Botës 2006. Dhe liga zvicerane e dënoi me 7 ndeshje pezullim.
Rreth dy muaj pas gjestit të tij, Xhaka është ulur në hollin e një hoteli me katër yje në Seefeld të Austrisë. Ai është më i kërkuari nga të gjithë lojtarët e FCB. Ne duam të flasin me 32-vjeçarin. Ai duket si gjithmonë, kur nuk është në lëndinën e gjelbër. Miqësor, i rezervuar, pothuajse i turpshëm. Një djalë që në shikim të parë nuk mund të lëndonte një mizë.
Kur u pyet për goditjen me kokë ndaj Katic, mesfushori gati sa nuk pendohet: “Kam humbur kontrollin. Kjo nuk duhet të më ndodhë mua. Kjo nuk ka vend në fushën e futbollit”.
Ai është një model për fansat dhe familjen e tij. Në rastin konkret, ai nuk e kreu këtë funksion. Mbi të gjitha, reagimi i djalit të tij 3-vjeçar i dha shumë për të menduar më pas: “Djali i vogël e ndoqi ndeshjen me gruan time. Djali im më pyeti nëse bëra faull. Dhe imitoi lëvizjen time me kokën e tij". Kjo ishte e pakëndshme, sipas Xhakës. Shumë e pakëndshme.

Ai thjesht duhej ta kishte injoruar Katic, por kjo nuk ishte e lehtë. Sepse emocionet në klasike kishin shkumëzuar. Sepse arbitri kishte vërshëllyer për një penallti të pajustifikuar. Dhe mbi të gjitha sepse mbrojtësi i FCZ e provokoi shumë keq. “Kam mundur ta kontrolloj veten në provokimet e para, por pas kartonit ai ofendoi gruan time, familjen time, fëmijët e mi. Aty më shpërtheu fitili”, – thotë Xhaka.
Veterani ka kryer tashmë katër ndeshje pezullim, katër të tjera do t’i shtohen në fillim të sezonit të ri. “Prisja më shumë, 10 apo 11 ndeshje pezullim”, – thotë Xhaka. Ai e sheh pozitivisht faktin se në fillim të sezonit të ri do të jetë thjesht spektator: “Ky mund të jetë edhe avantazh, sepse do ta shoh nga jashtë sesi luan trajneri i ri. Pastaj, unë kam të drejtë të luaj në ndeshjet ndërkombëtare”.
Mirëpo, Xhaka nuk mund ta kuptojë pse konsiderohet një lojtar i padrejtë në sytë e shumë njerëzve: “Në karrierën time 13-vjeçare jam përjashtuar ( me karton të kuq) gjashtë herë. Nuk mund ta kuptoj pse disa njerëz më portretizojnë sikur diçka e tillë ndodh çdo dy javë”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





