Transmetuar më 29-06-2023, 16:31

Sekretarja e Përgjithshme e Forumit të Vendeve Ishullore të Paqësorit ka publikuar një deklaratë mbi lëshimin e ujit të ndotur bërthamor në det nga Japonia.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Mao Ning u shpreh të enjten se, si vend përgjatë bregut të Paqësorit, Kina pajtohet shumë me shqetësimin e vendeve ishullore të Paqësorit.

Të hënën, Sekretarja e Përgjithshme e Forumit të Vendeve Ishullore të Paqësorit publikoi një deklaratë, ku thuhet se lëshimi në det nga Japonia i ujit të ndotur bërthamor është jo vetëm problem i sigurisë bërthamore, por është edhe i lidhur ngushtë me mjedisin detar, peshkimin, shëndetin e njerëzve dhe interesat e brezit të ardhshëm.

Shkarkimi i ujit të ndotur bërthamor të Japonisë ka ndikime të mëdha ndërkufitare e ndërbreznore dhe mund të shkaktojë precedentin ndërkombëtar të hedhjes së qëllimshme të mbetjeve bërthamore në oqean. Për këto arsye, duhet të kërkohen metoda të tjera trajtimi.

Sipas deklaratës, bisedimet mbi shkarkimin nuk duhet të kufizohen në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, por duhet të zhvillohen nëpërmjet platformave si Konventa e OKB-së për të Drejtën Detare dhe Konventa për Parandalimin e Ndotjes Detare nga Hedhja e Mbetjeve dhe Lëndëve të Tjera.

Lidhur me këtë, Mao Ning vuri në dukje se lëshimi në det nuk është metoda më e sigurt dhe më e mirë. Zgjidhja e palës japoneze është nisur nga kostoja ekonomike.

Hedhja në det e ujit të ndotur bërthamor prej palës japoneze shkel detyrimet e mbrojtjes së mjedisit detar të rregulluar nga Konventa e OKB-së për të Drejtën Detare, e njëkohësisht shkel edhe dispozitat e Konventës për Parandalimin e Ndotjes Detare nga Hedhja e Mbetjeve dhe Lëndëve të Tjera, ku thuhet se ndalohet shkarkimi i mbetjeve radioaktive nëpërmjet strukturave artificiale në det.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd