
Kim Min-jae përshëndet Napolin. Pas vetëm një viti me blutë, i kurorëzuar me titullin kampion të Serie A, mbrojtësi koreano-jugor largohet drejt Bundesligës. Bayern Munich siguroi shërbimet e tij, pasi pagoi klauzolën 50 milionëshe, dhe e vuri në dispozicion të trajnerit Tuchel së bashku me De Ligt dhe Upamecano.
26-vjeçari kishte mbërritur te kampionët e rinj të Italisë një verë më parë nga Fenerbahce për 20 milionë euro. Vitin e kaluar ishte Napoli, që pagoi klauzolën e lirimit të tij. Në Itali kishte mbërritur mes mosbesimit të përgjithshëm, në fund të sezonit u shpall mbrojtësi më i mirë i Serie A.
Ai ishte një nga liderët e heshtur të një skuadre që magjepsi Italinë dhe Evropën. Shpejtësia, teknika, forca, eksploziviteti në shënim, sidomos me kokë, evidentuan potencialin e një “përbindëshi” në mbrojtje. Ai ishte i aftë të bllokonte çdo lloj sulmuesi kundërshtar me aftësitë e frikshme atletike dhe fizikun imponues.
Koreano-jugori bëri që Napoli të dashurohej me të, tifozët çdo herë këndonin në kor "Kim, Kim, Kim" në stadiumin “Maradona”. Në 12 muaj si lojtar i Napolit, ai kurrë nuk i bëri drejtuesit të pendoheshin për shitjen e Koulibaly.
Këto ditë, Kim ndodhet në Korenë e Jugut, ku po kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ai është rekrut i kompanisë së 8-të, toga e dytë, ekipi i parë i regjimentit të 23-të arsimor të ushtrisë “Nonsan”. Një trajnim me rregulla të ashpra: internet i kufizuar dhe vetëm dy telefonata të lejuara në ditë. Për shtatë ditë ai do të jetë i lirë dhe do të jetë në gjendje të fillojë një aventurë të re.
Pasi flirtoi me Manchester United, pasi bëri PSG dhe Newcastle të dashurohen me të, ai do ta vazhdojë karrierën në Gjermania. Do të mbrojë ngjyrat e Bayern Munich, klubit që dëshiron të rimarrë skenën evropiane dhe po ashtu po përpiqet të sigurojë Harry Kane (me të cilin tashmë ka një marrëveshje) nga Tottenham.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





