Transmetuar më 28-06-2023, 09:04

Ai është ylli i kombëtares shqiptare. Vjen nga një dëmtim i rëndë dhe ndërhyrje kirurgjikale, por ia ka dalë që në fillim të fazës përgatitore të kësaj vere të bëhet gati për të treguar veten. Tashmë ka një trajner të ri, Mauricio Pochettino, i cili do ta shohë në veprim për ta mbajtur te Chelsea ose jo (huazuar) sezonin e ri. Një sprovë e radhës kjo për Armando Brojën, i cili ka zbuluar në faqen zyrtare të klubit londinez disa prapaskena që nuk i dinim më parë:

“Nuk e mbaj mend saktësisht se çfarë ndeshje ishte, por ishte një ndeshje e Chelsea në ‘Stamford Bridge’. Isha rreth pesë ose gjashtë vjeç dhe mbaj mend që xhaxhai im më mori me vete në stadium, në një ndeshje. Ishte ai që më bëri tifoz të Chelsea, sepse ai ishte mbështetësi më i madh i Chelsea në botë.

Unë kisha një shall të Chelsea, një kapele të Chelsea. Harroj se me kë po luanim, sepse isha shumë i ri, por është një nga përvojat më të mira të jetës sime, kur isha në atë moshë. Ishte vërtet argëtuese, një ditë e bukur.

Sa herë shkoja për t’i ndjekur ndeshjet e ‘Stamford Bridge’ shoqërohesha me të, sepse xhaxhai ishte i vetmi tifoz i Chelsea që kisha. Unë shkoja pothuajse gjithmonë me të, ndonjëherë me babin dhe dajën tim. Ishte e mahnitshme ta përjetoja atmosferën e stadiumit në atë moshë. Ishte vërtet argëtuese dhe me të vërtetë ka pasur ndikim.

Mbaj mend që shkova atje dhe, duke qenë aq i ri, nuk e dija se si ishte të hyje në stadium. Kur u ngjita në tribunë pashë jashtë në rrugë, pesë ose gjashtë mijë njerëz që ecnin drejt stadiumit. Është thjesht emocionuese kur sheh disa nga lojtarët duke zbritur nga autobusi, duke ecur në tunel dhe gjëra të tilla.

Është e mahnitshme kur futesh brenda stadiumit. Mbaj mend gjithmonë që shkonim direkt për të marrë ushqim, doja një hamburger menjëherë, më pas uleshim për të ngrënë. Pastaj merrnim një nga flamujt që ishin në tribuna dhe fillonim ta tundnim përreth. Lumturohesha duke parë lojtarët që dilnin në fushë. Ishte thjesht surreale ta kisha atë përvojë.

Kur e pashë për herë të parë, ishte e jashtëzakonshme, numri i njerëzve që ishin aty, zhurma rreth stadiumit, sa ndikim kishin lojtarët te njerëzit kur dilnin jashtë. Ishte thjesht një çmenduri dhe që atëherë mendoja: ëoë, dua të luaj në këtë fushë një ditë. Aty filloi realisht dashuria për Chelsea.

Kur isha i vogël, xhaxhai im ishte i pari, i cili më veshi me uniformën e Chelsea. Besoj ka ndodhur kur isha rreth dy vjeç. Mamaja ime i tha të ndalonte, por ai vazhdoi të këmbëngulte. Donte që të bëhesha tifoz i Chelseat. Pra, u rrita si tifoz i Chelsea për shkak të tij dhe gjithçka u rrit prej andej.

Pjesa tjetër e familjes sime nuk merrej vërtet me futboll në atë kohë. Nëna ime nuk ishte tifoze e futbollit dhe as babai. Xhaxhai im e ka mbështetur Chelsea gjatë gjithë jetës së tij, kështu që sapo linda, ai donte të më bënte tifoz të kësaj skuadre. Ai thoshte se do të bëhesha një tifoz i Chelsea dhe futbollist. Mamaja i thoshte të më lejonte që të rritesha. Më pas mamaja dhe babi im filluan të më rrinin pas dhe të mbështesnin Chelsea. Nga këtu vijnë të gjitha, nga xhaxhai im”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd