Transmetuar më 26-06-2023, 12:18

Paolo Cesare Maldini (lindur më 26 qershor 1968) është një ish-futbollist profesionist italian, i cili luajti si mbrojtës i majtë dhe qendërmbrojtës për Milanin dhe kombëtaren italiane. Ai konsiderohet gjerësisht si një nga mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave, si dhe një nga lojtarët më të mirë të historisë. Si kapiten i Milanit dhe Italisë për shumë vite, Maldini u konsiderua një udhëheqës nga shumë futbollistë, duke fituar pseudonimin "Il Capitano".

Gjatë karrierës së tij si lojtar, Maldini i shpenzoi 25 sezonet e karrierës së tij në Serie A me Milanin, para se të tërhiqej në vitin 2009, në moshën 41-vjeçare. Ai fitoi 25 trofe me Milanin: pesë Liga Kampionesh, shtatë tituj të Serie A, një Kupë Italie, pesë Superkupa Italie, pesë Superkupa Europiane, dy Kupa Ndërkontinentale dhe një Botëror për Klubet.

Gjatë viteve të tij te Milani, Maldini luajti në nivele botërore, për dy dekada e gjysëm, duke fituar çmimin e mbrojtësit më të mirë nag UEFA në moshën 39-vjeçare, si dhe çmimin “Mbrojtësi më i mirë në Serie A”, në vitin 2004.

Maldini u rendit i dyti, mbrapa George Weah për çmimin “FIFA Lojtari Botëror i Vitit” në 1995. Ai gjithashtu u rendit i treti për “Topin e Artë”, një tjetër çmim prestigjoz individual, në dy raste (1994 dhe 2003). Në vitin 2002, ai u zgjodh si mbrojtës në “Ekipin e Ëndërrave” të Kupës së Botës, kurse dy vite më vonë u zgjodh nga Pelé në “FIFA 100”, një listë me 125 lojtarët më të mirë ndonjëherë.

Maldini mbajti rekordin për numrin e ndeshjeve të zhvilluara në kompeticionet e UEFA-s, me 174 paraqitje, deri sa u parakalua nga portieri Iker Casillas në vitin 2017. Ai është lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje (902) në të gjitha kompeticionet me Milanin. Maldini është një nga 18 lojtarët në histori ka që luajtur më shumë se 1.000 ndeshje zyrtare si profesionist.

Paolo Maldini Cesare Maldini

Një flamur kuqezi

Për shumë jemi përballë mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit ose një nga më të mirët ndonjëherë. Paolo Maldini ishte padyshim një legjendë dhe flamur i Milanit, si dhe i kombëtares italiane, ekipe të të cilave ishte kapiten për një kohë të gjatë.

Natyrisht, me këmbë të djathtë, por i aftë për ta goditur topin me të dyja këmbët, ai u vendos si një mbrojtës i majtë modern, me cilësi të jashtëzakonshme teknike. Ai ishte në gjendje të garantonte në të njëjtën kohë mbulim të madh mbrojtës dhe një shtytje të vazhdueshme në krah, në sajë të mjeteve të rëndësishme fiziko-atletike dhe inteligjencës taktike, të kombinuara.

Një specialist i goditjeve dhe artist i parashikueshmërisë së lojës, Paolo Maldini konsiderohet një kampion shembullor për profesionalizmin dhe aftësinë e tij për të menaxhuar trupin, elementë që e lejuan të shprehej në nivele të larta deri në moshën 41 vjeç, shpesh duke u shkëputur, “metrat” e fundit në rolin e qendërmbrojtësit.

Nëse fitoi gjithçka në nivel klubi, duke e lidhur emrin vetëm me historinë e Milanit, aventura e tij me Italinë ishte më e pafat. Me kombëtaren axurre nuk arriti të fitonte asnjë trofe, duke përfunduar i dyti në Kupën e Botës “SHBA ’94” dhe i treti në “Italia’ 90”. Vendin e dytë zuri në edicionin e vitit 2000 të Kampionatit Evropian. Tërheqja nga ekipi kombëtar, në vitin 2002, e pengoi atë të merrte pjesë në fitoren e radhës në Kupën e Botës 2006.

Paolo Maldini ka lindur në Milano më 26 qershor 1968. I regjistruar në zyrën e gjendjes civile si Paolo Cesare, është “djali i artit”, sepse babai i tij ishte një shtyllë dhe kapiten i Milanit të Rocco-s. Dashuria e “Paolinos” për futbollin, siç e quajnë të gjithë, është absolutisht e parakohshme. "Nga mosha 6 deri në 10 vjeç, – ka treguar ai në disa raste, – kam qenë praktikisht çdo ditë në fushë duke luajtur futboll. Sporti më ndihmoi të rritesha si burrë dhe si futbollist".

Babi Cesare e kuptoi që Paolo ishte vërtet i zoti në futboll, ndaj në moshën 10-vjeçare i ofroi një audicion. "E pyeta Paolo: Ku do të dëshironit të luanit? Me Milanin apo Interin? Më tha pa hezitim: Me Milanin”. Fausto Braga, trajner futbolli dhe zbulues i talenteve të kuqezinjve, e mori Maldinin në audicion.

“Rocco, i cili gëzonte konsideratën më të madhe te Milani, më thirri dhe më tha në dialektin triestinas: Dëgjo Fausto, nëse të pëlqen, merre, por nëse nuk të pëlqen, mos e shiko faktin që ai është djali i Cesare".

Më 12 shtator 1978, babai Cesare e çoi Paolo në audicion me Milanin. “Braga më pyeti se çfarë roli ka luajtur Paolo. Epo, nuk e di, mund ta provosh, – iu përgjigj Cesare. – Dhe ai më tha: Ta vendosim në krahun e djathtë. Ok, i thashë. Dhe u largova, nuk qëndrova ta shikoja testin e tim biri”.

"Kam kujtime të qarta për atë ditë, – do të thoshte Paolo. – Në mëngjes shkova me mamin tim në ‘Corso Buenos Aires’ për të blerë këpucë të reja. Një palë ‘Valsports’, me një shirit portokalli. Bëra audicionin dhe besoj se shkoi shumë mirë”.

Paolo Maldini Milan Serie A 1985/86

Mes atyre që e vëzhgonin djaloshin e ri ishte edhe Francesco Zagati, bashkëpunëtor i ekipit të të rinjve kuqezi në vitet 1970: “Paolo ishte i mirë, kishte cilësi që për dikë që nuk kishte luajtur kurrë futboll ishin të jashtëzakonshme. Braga i tha: Cili është ekipi juaj, nga vini? Dhe Paolo iu përgjigj: Unë nuk luaj futboll. Po ku mësove? – e pyeti Fausto. Kam mësuar nëpër rrugica, – tha ai".

“Duke shkuar kundër rregullave të klubit, ky trajner, zoti Braga, më detyroi të firmos kartonin e transferimit pa kërkuar as leje në klub, – ka rrëfyer Paolo. – Do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Mendoj se klubi bëri një punë të mirë, gjithsesi, që më rekrutoi".

Maldini e nisi kështu karrierën e tij në ekipin e të rinjve kuqezi. Në mënyrë të pashmangshme, emri i tij krahasohej me atë të babait të tij dhe nuk ishti e lehtë për dikë si Paolo, i përballur me kaq shumë paragjykime, të tregonte se ishte te Milani me meritë, jo me rekomandim.

“Në ekipet e të rinjve, edhe në fusha periferike, e kam dëgjuar shpesh emrin tim të lidhet me atë të babait, – do të thoshte kapiteni i ardhshëm, – por mendoj se ishte edhe një gjë normale. Luaja me një fanellë të rëndësishme, atë të Milanit, dhe babai im kishte qenë një lojtar i rëndësishëm. Kishte tashmë një presion të tillë, edhe pse unë thjesht mendoja të luaja si çdo djalë adoleshent".

Maldini nuk iu kushtoi rëndësi thashethemeve për të dhe u shqua si një nga lojtarët më premtues në akademinë e Milanit. Në sezonin 1984-1985, pavarësisht se ishte vetëm 16 vjeç, iu bashkua skuadrës “Primavera” të Fabio Capello-s, me të cilën fitoi Kupën e Italisë në kategorinë e tij, duke mundur në finale Torinon e Sergio Vatta-s.

"Unë isha kapiteni i ‘Primavera’, – thotë ‘Billy’ Costacurta, – kur Paolo mbërriti. Ishte shumë i turpshëm, shumë introvert. Më në fund ekipi pa tek ai të rekomanduarin, djalin e Cesare Maldinit”. "Ai ishte dy vite më i vogël se djemtë e tjerë, – kujton Capello, – por unë vazhdova ta lija të luante. Edhe duke parë që jo të gjithë ishin të bindur".

Pavarësisht vështirësive mjedisore, Maldini arriti t’iu tregonte edhe një herë të tjerëve se ishte aty ngaqë e meritonte. “Në momentin kur ai doli në fushë, – thotë Costacurta, – të gjithë e kuptuam menjëherë se nuk rekomandohej, por ishte mjaft i mirë”.

Edhe Nils Liedholm, trajneri i ekipit të parë, vëzhgoi me kureshtje dhe vëmendje ecurinë e mbrojtësit të ri. Në fillim të vitit 1985, skuadra milaneze u shkatërrua nga dëmtimet e shumta dhe kur u dëmtua edhe Mauro Tassotti, ‘Il Barone’ i mahniti të gjithë dhe vendosi të thërriste Paolon në ekipin e parë për ndeshjen jashtë fushe kundër Udineses.

Paolo Maldini Italy Under 21

"Isha vetëm një fëmijë, që po bëhesha gati të luaja takimin tim të parë me një ekip profesionist, – kujton Paolo. – Kisha një përzierje emocionesh dhe gjithashtu frikë. Nuk e kisha menduar kurrë se mund të debutoja kaq shpejt me një ekip të Serie A".

Ishte e diela e 20 janarit 1985 dhe Paolo zuri një vend në pankinën kuqezi, me fanellën që mbante numrin 14 mbi supe, me pak mundësi për të hyrë në fushë, duke qenë se mund të kishte vetëm 2 zëvendësime. Ishte një pasdite me temperatura veçanërisht të ftohta në Friuli, dhe Nuciari, Ferrari, Cimino dhe Giunta ishin ulur pranë tij.

Një gol i Selvaggit i kalon friulianët në avantazh në minutën e 11-të. Megjithatë, ndodhi që kur skuadrat shkuan për të pushuar, të kishte edhe një problem tjetër për një lojtar kuqezi, Sergio Battistini.

Liedholm i kthehet Maldinit: "Ku luan zakonisht?” Paolo e kapërcen drojën: “Ku të ketë nevojë skuadra”. "A ndiheni i gatshëm?" – e pyeti më tej trajneri suedez. Përgjigja ishte pa hezitim: "Po, absolutisht". Kështu, "Baroni" e ngriti Maldinin për nxemje dhe ai që shumë e njihnin ende si "Djali i Cesare" bëri debutimin e tij në Serie A, duke luajtur si mbrojtës i djathtë së bashku me dy qendërmbrojtësit Baresi dhe Di Bartolomei, ndërsa mbrojtës i majtë, Luigi Russo.

“Kisha emocione shumë të forta, të gjitha të mbledhura në 5-6 minutat e para. Por sapo preka topin e parë, një pasim mbrapa për portierin Terraneo, loja u bë gjithnjë e më e qetë për mua. Ishte momenti që kuptova se mund të bëhesha futbollist, më parë më dukej një botë shumë e largët, nuk e mendoja se mund të luaja me kampionë”.

Paolo luajti mirë dhe në minutën e 63-të kuqezinjtë barazuan, falë anglezit Hateley, i mirë për të përfituar nga një goditje nga gjuajtja e lirë e Di Bartolomeit. Për mbrojtësin e ri, në fund të lojës, vetëm shumë komplimente, duke filluar nga Gianni Rivera, ish-shoku i skuadrës së babait Cesare: "Isha shumë i kënaqur me debutimin e tij, sepse hyri në fushë pa asnjë frikë. Kur hyri pati një ndeshje të shkëlqyer dhe shpresoj që të mund të përsërisë karrierën e babait të tij".

“Paul ka një të ardhme të madhe”, – ishin fjalët e Liedholm. Dhe nuk e kishte gabim. Kështu nisi saga e kampionit të madh kuqezi, i cili rikthehet të luajë për pjesën e mbetur të atij sezoni te “Primavera”. Atë e vë re edhe Vujadin Boskov, trajneri i Ascolit në atë kohë, i cili zyrtarisht ia kërkon presidentit Costantino Rozzi. Ky i fundit nis negociatat, por është Liedholm, ai që vë veton: Paolo do të qëndrojë te Milani.

Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, 1985-1986, ai iu bashkua ekipit të parë të kuqezinjve në mënyrë të përhershme dhe luajti si një lojtar qendror me këmbë të majtë pranë Baresit, nga i cili u përpoq të mësonte sa më shumë.

Paolo Maldini AC Milan 1990

Ai kishte nderin të përkonte me kampionët e mëdhenj të Serie A, mbi të gjitha Diego Armando Maradona. Megjithatë, këto janë vite ndryshimesh për klubin e Milanit, i cili rrezikonte falimentimin. Më 10 shkurt 1986, Silvio Berlusconi mori pronësinë e kompanisë nga Giussy Farina, me qëllimin e deklaruar për të rikthyer Milanin në krye të botës.

Duke filluar nga sezoni 1986-1987, Paolo u vendos në krahun e majtë të mbrojtjes dhe në atë rol do të bëhej, brenda pak vitesh, më i miri në botë. Më 4 janar 1987, kuqezinjtë e rinj ia hoqën edhe kënaqësinë e golit të tij të parë në Serie A, i cili erdhi me një goditje nga afër dhe i dha fitoren kundër Como (1-0) në stadiumin “Sinigaglia”.

"Për një herë në jetën time kam pasur instinktin e sulmuesit. Më ka dhënë gëzim të jashtëzakonshëm, nga ai moment deri në fund të ndeshjes, nuk kam kuptuar asgjë", – e kujton Maldini golin e parë me Milanin në Serie A.

Ndërkohë, Paolo i bashkohet ekipit të Italisë U-21, i drejtuar nga babai i tij Cesare. Para se ta thërriste, ish-mbrojtësi e paralajmëroi: “Çfarë do të thonë gazetarët nëse të thërras?” Por mbrojtësi i kuqezinjve ishte mësuar tashmë me presionin: “Mos u shqetëso, unë do të kujdesem për këtë”. Maldini vesh për herë të parë fanellën blu më 12 nëntor 1986. Në Fontanafredda të provincës së Cuneos përfundoi 0-0 miqësorja me Austrinë. Atje do të luante për 2 vite, duke grumbulluar 12 ndeshje dhe 5 gola.

Pjesa më pas e karrierës është tashmë histori e gdhendur me germa të arta dhe besnikëri ndaj kuqezinjve. Paolo Maldini debutoi me Milanin në vitin 1985 dhe do të luante atje për 25 vite, duke fituar gjithçka si futbollist.

Në pragun e të 40-tave, në fund të sezonit 2008-2009, erdhi koha që Paolo Maldini të thoshte mjaft. Dita për të përshëndetur tifozët e tij ishte 24 maj 2009. Për të nderuar kapitenin historik, skuadra doli në fushë me fanellën e sezonit të ardhshëm dhe një copëz të veçantë, me fytyrën e Maldinit dhe fjalët "Tre solo per Te".

Në tribunat, ku uleshin rreth 70 mijë spektatorë, shpërndaheshin albume me afishe dhe një shall special. Pas bilbilit të fundit, kur kuqezinjtë po humbisnin 3-2, kapiteni eci nëpër fushë, mezi duke i mbajtur lotët e emocionit, teksa përshëndeste tifozët e tij.

Ishin të shumta duartrokitjet, por në mes kishte edhe disa sharje nga një skaj ultras, që nuk e kishin falur për disa deklarata kundër sjelljeve të caktuara të “kurbave” në stadium. Javën e ardhshme, më 31 maj, ai luajti ndeshjen e fundit zyrtare në karrierë, në “Franchi” të Firences. Ajo ishte ndeshja e 902-të zyrtare me Milanin.

Ai vendosi shumë rekorde: lojtari më me shumë ndeshje nga Milani në Serie A dhe me më shumë ndeshje në të njëjtin ekip (647 paraqitje), më me shumë ndeshje në Champions League me kuqezinjtë (139 paraqitje) dhe më i pranishmi me të njëjtin ekip në Kupat e Europës (174 paraqitje), si dhe i pari i italianëve. Me Tottin, ai është gjithashtu lojtari që ka pasur më shumë sezone në Serie A (25).

Milani, pas pensionimit të tij, tërhoqi fanellën me numrin 3, që kapiteni kishte veshur. Pelé e kishte përfshirë në “FIFA 100” në vitin 2004 dhe që nga viti 2012 është pjesë e “Hall of Fame” të futbollit italian. Në vitin 2020, për më tepër, ai shfaqet në “Dream Team” e “Topit të Artë”, duke u cilësuar si mbrojtësi i majtë më i mirë i historisë së futbollit.

Një legjendë autentike që, pavarësisht sukseseve të mëdha, ka mundur të ruajë të paprekur përulësinë e tij ndër vite. "Unë jam futbollisti më humbës në histori, – do të thoshte duke reflektuar për veten e tij, në një Instagram “live” me Vierin.

Paolo Maldini Milan 1994

– Kam humbur 3 finale të Champions League, një Superkupë Evropiane, 3 Kupa Interkontinentale, një finale të Kupës së Botës, një finale të Kampionatit Europian, një gjysmëfinale të Kupës së Botës… Dhe mund të vazhdoj. Pra, kam pasur fatin të fitoj shumë dhe ta shoh humbjen si diçka për t’u pranuar në këtë rrugëtim".

Pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Milani i tij e harroi për pak kohë, aq sa deklaroi se “kampioni që mendon me kokë krijon probleme”. Por, pasi themeloi Miami FC më 2015, klubi i parë profesionist i Floridas, i cili bëri debutimin e tij në NASL vitin e ardhshëm, u kthye në klub në gusht 2018 si drejtor i zhvillimit strategjik për zonën sportive.

Në qershor 2019, me ardhjen e “Elliott’ në krye të Milanit dhe lamtumirën e Leonardos, ai u bë drejtori teknik i klubit kuqezi, një rol që e mbajti deri në qershor 2023, me të njëjtin pasion dhe profesionalizëm që e ka karakterizuar gjithmonë si lojtar. Faktorët që e kanë lejuar të kontribuojë, si protagonist, në rikthimin në majat e “Djallit”, çka kulmoi me fitimin e titullit të Serie A në fund të sezonit 2021-2022.

Një simbol universal i sportit dhe besnikërisë, ai është i dashur nga tifozët e Milanit dhe i respektuar nga të gjithë të tjerët. I martuar që nga viti 1994 me Adriana Fossa, ai u bë baba i Christian dhe Daniel Maldinit, të cilët u bënë futbollistë dhe përpiqen të mbajnë traditën familjare, të nisur shumë vite më parë nga gjyshi Cesare.

Paolo Maldini Italy

Idhull i shumë yjeve të tjerë

Idhulli i Carles Puyol dhe Sergio Ramos ⠀

Frymëzuesi i Philipp Lahm

Mbrojtësi më i fortë si kundërshtar i Ronaldo Názario ⠀

Mësuesi i Alessandro Nesta ⠀

Lojtari që kishte më shumë ndikim te Kaka

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd