Transmetuar më 25-06-2023, 23:02

Greqi- Partia “Demokracia e Re” fitoi bindshëm një mandat tjetër katër-vjeçar në zgjedhjet e mbajtura të dielën në Greqi.

Pas numërimit të 90 për qind të kutive të votimit, “Demokracia e Re” e ish-kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka fituar më shumë se 40 për qind të votave, ndërsa partia kryesore opozitare e majtë, Syriza, ka pësuar rënie të mbështetjes, duke marrë 18 për qind të votave.

Mitsotakis tha para mediave se populli i dha atij një mandat për të çuar përpara reformat e nevojshme. Partia e tij ka siguruar një shumicë prej 157 deputetësh në parlamentin me 300 vende.

Alexis Tsipras deklaroi se Syriza merr përsipër përgjegjësitë që i ka ngarkuar vota popullore, ndërsa theksoi se do të vendosë veten në gjykimin e anëtarëve të partisë.

Pas rezultateve paraprake në Greqi, qytetarët kanë dalë nëpër rrugë duke festuar për fitoren e Mitsotakis, ndërsa ndoqën edhe fjalimin që mbajti ish- kryeministri.

Teksa numërimi i votave në Greqi vijon, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar nga SYRIZA për humbjen. Deklarata është përcjellë nga Alexis Tsipras, i cili ka thënë për mediat se kanë pësuar një disfatë të rëndë zgjedhore.

Kryetari i SYRIZA-s foli për nevojën e rinovimit me fytyra të reja, duke thënë se është mbyllur një cikël i madh historik për partinë, raporton "Protothema".

Vihet re se, sipas rezultateve, Parlamenti i ardhshëm pritet të jetë tetëpartiak, ku Pleusi Eleftherias më në fund do të jetë në Parlamentin e ri.

Rezultatet sipas Ministrisë së Brendshme

ND: 40.53 SYRIZA: 17.84 PASOK/KINAL: 11.9 KKE: 7.65 Spartanët: 4.69 Zgjidhja Helenike: 4.46 FITORJA: 3.71 Lundrimi i Lirisë: 3.17

Në nivel mandatesh përqindjet “përkthehen” si më poshtë:

Demokracia e Re: 158 SYRIZA: 47 PASOK: 32 KKE: 20 Spartanët: 13 Zgjidhja Helenike: 12 Partia Fitorja: 10 Lundrimi i Lirisë: 8

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd