Transmetuar më 23-06-2023, 14:27

Kryeministri kinez Li Qiang tha të enjten se zhvillimi i Kinës i sjell botës mundësi dhe jo rreziqe, duke krijuar qëndrueshmëri e jo tronditje për zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.

Gjatë takimit me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel kur mori pjesë në Samitin për një Pakt të Ri Global të Financimit, kryeministri Li shprehu shpresën që BE-ja ta shikojë bashkëpunimin me Kinën në një mënyrë objektive e racionale dhe të punojë me palën kineze për të garantuar një mjedis të mirë për bashkëpunimin praktik Kinë-BE.

Duke vënë në dukje që sivjet është 20-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik ndërmjet Kinës dhe BE-së, Li Qiang-u tha që Pekini është i gatshëm të punojë me Brukselin për suksesin e një samiti të ri Kinë-BE dhe të thellojë bashkëpunimin në sektorët e gjelbër, ekonomi, tregti dhe digjitalizim, duke krijuar më shumë hapësirë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Li vuri në dukje gjithashtu që Kina është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me BE-në për të shtuar qëndrueshmërinë e marrëdhënieve ekonomike e tregtare dhe për të krijuar përfitime të ndërsjella për të dy palët.

Kryeministri kinez shtoi më tej që nuk ka konflikt të interesave thelbësorë ndërmjet Kinës e BE-së dhe të dy palët kanë marrë përfitime nga zhvillimi i njëra-tjetrës, kanë zbatuar autonominë strategjike e multilateralizmin dhe kanë konsensus të gjerë mbi ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera globale.

Kina dhe BE-ja duhet të shtojnë besimin e ndërsjellë dhe të trajtojnë çështjet nëpërmjet bashkëpunimit të suksesshëm, theksoi kreu i qeverisë kineze.

Nga ana e tij, Michel u shpreh se BE-ja zbaton parimin e “Një Kine” dhe është e gatshme të forcojë komunikimin dhe shkëmbimet me Kinën, të zhvillojë marrëdhëniet e bashkëpunimit në shumë nivele dhe të nxisë konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve BE-Kinë, për të zgjidhur së bashku çështjet globale lidhur me klimën, shëndetësinë e fusha të tjera dhe për të ndërtuar një botë të hapur e shumëpolare.

Zhvillimi i Kinës është i dobishëm për BE-në dhe për botën. BE-ja nuk ka ndër mend të kufizojë zhvillimin e Kinës, është kundër një "Lufte të Ftohtë të re" dhe veprimeve të mbajtjes së anës dhe shpreson që samiti i ardhshëm BE-Kinë të ketë rezultate pozitive, theksoi Michel.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd