Transmetuar më 23-06-2023, 13:04

Fatih Karagümrük, një nga skuadrat e Superligës turke, vazhdon punën për sezonin e ri. Sipas lajmeve nga “Fotomac”, skuadra e Stambollit, e cila është futur në merkato për një portier, ngaqë lejoi kthimin e Batuhan Şen (i huazuar) te Galatasaray.

Për të siguruar kuadratin e vet për sezonin e ri kërkon një emër të sprovuar. Në krye të listës së dëshirave është portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, me të cilin kanë përparuar shumë negociatat.

34-vjeçari i lindur në Prishtinë, pjesë e Torinos, nuk ka ndërmend të qëndrojë më te “granatat” e Serie A, sepse nuk ka luajtur fare, ndërsa trajneri Juric nuk e llogarit më fare. Sipas medias turke, Karagümrük ka rënë shumë dakord me lojtarin dhe klubin e tij italian, ndaj pritet që brenda një kohe të shkurtër të shpallet transferimi.

Berisha mbrojti portën e kombëtares shqiptare në dy eliminatoret e fundit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të cilat kuqezinjtë i fituan 2-0 dhe 3-1, respektivisht. Në rang kubesh, prishtinasi ka mbrojtur portën e Lazio, Atalanta, SPAL dhe Torino në Serie A.

Pra, një përvojë e pasur, që e ngroh shumë klubin turk, ndaj e ka zgjedhur për sezonin e ri. Kujtojmë se Etrit Berisha ka pritur 4 penallti në karrierën e tij. Ai ka lindur më 10 mars 1989 në Prishtinë, është 194 cm i gjatë dhe peshon 82 kilogramë, luan me këmbën e majtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd