
Në teatrin e betejës të tetëkëndëshit të Las Vegas, kafazi i përdorur për dyluftimet e arteve marciale të përziera UFC, dy gjigantë të industrisë së teknologjisë si Elon Musk dhe Mark Zuckerberg mund të përplasen si gladiatorë modernë. Ky është padyshim një sugjerim, por në Amerikë e besojnë vërtet, pas përplasjeve të tyre në rrjetet sociale.
Musk, i cili bleu Twitter-in vitin e kaluar, nuk ka qenë kurrë mbështetës i planeve të zgjerimit të Zuckerberg dhe kompanisë së tij, Meta. Në të vërtetë, Zuckerberg po zhvillon një aplikacion të quajtur "Threads", i cili synon të konkurrojë me "cicërimat" e Musk, i cili me shaka komentoi: "Jam i sigurt se bota po vdes për t’u dominuar plotësisht nga Zuckerberg pa alternativa".
Një përdorues me gjysmë shakaje e paralajmëroi: "Duhet të kini kujdes, kam dëgjuar që Zuckerberg po mëson jiu-jitsu". Në të vërtetë, duket se pronari i Facebook-ut e ka arritur rripin e bardhë në "jiu-jitsu" braziliane, duke u stërvitur vazhdimisht me Dave Camarillo të akademisë "Guerilla Jiu Jitsu", një instruktor i nivelit të lartë që ka trajnuar kampionë të shumtë.
Por Musk, sigurisht nuk është nga ata që tërhiqen lehtësisht: “Unë jam gati ta pranoj sfidën nëse dëshiron”. Në atë moment, Zuckerberg iu përgjigj në Instagram (në pronësi të Meta): “Ku dhe kur?” Sipas "The Verge", një revistë e njohur e specializuar në teknologji, ai është “seriozisht i vendosur të përballet me Elon Musk dhe tani pret detajet”.
“Realiteti flet vetë”, – komentoi një zëdhënës i Meta. Nuk është ende e qartë nëse dyluftimi do të ndodhë në të vërtetë apo nëse është vetëm një shaka. Ajo që dihet është se Zuckerberg duket se ndihet shumë krenar për aftësitë e tij atletike, duke shpërndarë rregullisht video dhe foto të stërvitjeve të tij.
Marsin e kaluar, ai madje hyri në garën e tij të parë, duke arritur të fitojë një medalje të artë dhe një argjendi. Nga ana tjetër, Musk mburret se pothuajse nuk merret me sport: "Unë stërvitem rrallë, përveçse kur i marr fëmijët e mi dhe i hedh në ajër".
Pavarësisht kësaj ai nuk mungon të mburret: “Kam një lëvizje të quajtur ‘The Walrus’; thjesht shtrihem mbi kundërshtarin tim dhe e gozhdoj”. Kush e di nëse do ta ekspozojë këtë stil dyluftimi në kafaz.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





