Xabi Alonso është kandidati numër një i presidentit Florentino Perez për të pasuar Carlo Ancelottin si trajner i Real Madridit.
Siç raporton “Mundo Deportivo”, spanjolli, i cili ka kontratë me Bayer Leverkusen deri në vitin 2024, nuk do të rinovojë më dhe aventura e tij në Gjermani do të përfundojë brenda një viti. Ai është i zgjedhuri për të pasuar trajnerin italian, i cili do të drejtojë Brazilin nga fundi i sezonit të ardhshëm.
Këtë sezon, ish-mesfushori merengues, i cili ka ende një marrëdhënie të mirë me drejtuesit e lartë të Real Madridit, arriti të bëjë rrugën e tij edhe në Evropë, duke shkuar deri në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, ku humbi kundër Romës së José Mourinhos, mbas dy përballjesh shumë të forta dhe ekuilibruara.
Ancelotti-Brazili
Brazili luajti dy miqësore së fundi, ku fitoi 4-1 ndaj Guinesë dhe humbi 1-0 ndaj Senegalit. Në krye të pesë herë kampionëve të botës është trajneri i përkohshëm Ramon Menezes, eksperienca e të cilit në stol mund të zgjasë disa muaj më shumë se sa pritej.
Në fakt, të paktën sipas asaj që nënvizohet nga "Globo", trajneri në fjalë mund t’i drejtojë brazilianët deri sa të mbërrijë Carlo Ancelotti. Thashethemet për trajnerin nga Reggiolo janë zbehur për këtë verë, por në Amerikën e Jugut janë të bindur se italiani do të nënshkruajë së shpejti.
Duket se ka edhe data të programuara, ose më mirë piketa. Në zyrat e Federatës Braziliane të Futbollit duket se do të mbërrijë Ancelotti. Disa detaje e bëjnë të qartë se ka bindje maksimale në këtë drejtim.
Madje flitet për faktin se Ednaldo Rodrigues, numri një i Federatës Braziliane të Futbollit, do ta njoftojë ardhjen e "Sir Carlo" deri në fund të qershorit. Ky i fundit do të sqarojë edhe zyrtarisht nëse ardhja e teknikut do të planifikohet në janar apo qershor 2024.
Me pak fjalë, Ancelotti, trajner i Brazilit, mund të jetë vetëm çështje kohe, pavarësisht kontratës së italianit me Real Madridin, që do të skadojë qershorin e vitit të ardhshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd