Transmetuar më 22-06-2023, 11:19

E nisëm keq fushatën kualifikuese të “Euro 2024”, me humbjen 1-0 në transfertë, ndaj Polonisë. Megjithatë, nuk u dekurajuam, por reaguam si duhet. Fati e solli të kishim dy përballje të radhës komode në letër, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Dy fitore plotësisht të merituara, me paraqitje mjaft pozitive, që na vendosin të dytët në grup për momentin, me një pikë më pak se Çekia dhe një më shumë se Moldavia. Shtatori na vë përballë rivalësh të drejtpërdrejtë për kualifikim në finalet e “Euro 2024”, aty do të ndahet “shapi nga sheqeri”.

Trajneri Sylvinho e di mirë këtë, ndaj nuk ka vend për eufori. Përmes një letre publike, publikuar në rrjetet sociale, braziliani i stolit kuqezi i drejtohet kështu popullit kuqezi:

“Këto kanë qenë ditë intensive dhe shumë produktive pune e përgatitjeje për dy ndeshjet. Ky grumbullim na ndihmoi për të njohur grupin e lojtarëve më në detaje dhe të ushqenim akoma më shumë lidhjen tonë të mrekullueshme.

Rezultati ishte dy fitore, me numra të rëndësishëm. Unë jam i bindur se e gjitha kjo ishte rezultat i punës në grup: lojtarë, staf teknik, punonjës dhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe fansat, të cilët na inkurajuan shumë në fushën tonë dhe na dhanë një energji të mirë për ndeshjen e dytë. Ecim përpara. Forca Shqipëri!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd