Transmetuar më 21-06-2023, 18:43

Të paktën shtatë persona janë plagosur rëndë dhe 16 të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi masiv gazi në qendër të Parisit.

Fasada e një pallati ka rënë në rrugë dhe disa objekte kanë marrë flakë. Forca të shumta policie dhe zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje.

Një zyrtar i policisë tha se pjesa e përparme e ndërtesës u shemb në rrugë pas shpërthimit të madh ndërsa ministri i brendshëm francez Gerald Darmanin konfirmoi se zjarrfikësit ishin ne vendngjarje në Rue Saint-Jacques afër “Jardin Du Luxembourg” dhe Universitetit të Sorbonë.

Ndërtesat duken të shkatërruara dhe zjarri duket se ka përpirë disa godina në Paris pas një shpërthimi të dyshuar gazi pranë Senatit.

Imazhet dhe videot e publikuara në internet të incidentit tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen në ajër, me ndërtesa të ndryshme përreth që digjen dhe strukturat e tyre të brendshme të shkatërruara.

Zëdhënësja e policisë së Parisit, Loubna Atta tha se ishte shumë herët për të përcaktuar burimin e zjarrit dhe nuk mund të konfirmonte se ishte shkaktuar nga një shpërthim gazi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd