
Nga Ylli Manjani
Janë dy çështje thellësisht kushtetuese, të cilat Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i injorojë pafundësisht.
1. A mundet që Parlamenti i një Republike Kushtetuese, ku hierarkia e normave është themeli i sundimit të së drejtës, të vijojë të bëjë ligje të personalizuara?
A mundet Parlamenti të bëhet qeveri, më keq akoma një komision tenderi, duke përcaktuar me ligj kush fiton punën apo pasurinë publike?! Janë apo jo pushtetet e ndara?!
Kjo është pyetja e parë, e cila përfshin portin e Durrësit, parkun e Butrinit, portin e Vlorës, Teatrin Kombëtar dhe jo vetëm.
Praktika e ligjeve të personalizuara në sistem demokratik është e papranueshme. Hitleri dhe të gjitha sundimet monokratike e diktatoriale kanë qeverisur me ligje masash e personash dhe jo me ligje normash të barabarta për të gjithë.
2. A mundet qeveria e një Republike me pushtete të ndara, të marrë atribute gjyqësore? Dmth., a mundet qeveria të konfiskojë prona private, qoftë kjo edhe e ndërtuar pa leje? A është vendimarrja thellësisht politike dhe ekzekutive e njëjtë më procesin e rregullt gjyqësor?!
Legjitimimi i te drejtës së qeverisë për të konfiskuar pronën private është vendimi më i rrezikshëm i mundshëm që Gjykata Kushtetuese ka bërë. Nuk i di arsyet. Ndoshta kërkesa ishte jo e plotë, të paktën këtë shpresoj, por asnjë qeveri demokratike nuk konfiskon pronën private. Asnjë!
Prona konfiskohet vetëm me proces të rregullt ligjor gjyqësor dhe si masë ekstreme penale. Të dyja këto çështje disi, dikur e për një arsye a një tjetër do duhen trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, me synim rivendosjen e rendit kushtetues, të përmbysur keq dhe shumë keq nga politika e disbalancuar në vend.