Transmetuar më 20-06-2023, 09:30

Një javë pasi fitoi Ligën e tretë të Kampionëve në karrierë dhe ‘Tripletën’ sezonale me Manchester City, trajneri Pep Guardiola ka zbarkuar në Itali për një darkë surprizë me ish-bashkëlojtarët e tij te Brescia.

Katalanasi ka folur gjithmonë me superlativa për eksperiencën e tij si futbollist me skuadrën italiane. Edhe fotot e grupit nga mbrëmja festive e bëjnë më të qartë se si lidhja mes lojtarëve të asaj skuadre të trajnuar nga Carlo Mazzone është ende shumë e fortë.

Foto dal profilo Facebook @Bresciaingol.

Askush nuk e dinte për këtë ngjarje, por trajneri i ‘qytetarëve’, pasi kaloi natën në qytetin e Lombardisë, u largua përsëri të dielën, sepse do të ishte kumbari i edicionit të pestë të "Puma Legends Trophy", që po zhvillohet në ‘Empordà Golf Club’ nga dita e djeshme.

Pep festoi ‘tripletën’ e dytë në karrierë me këtë ndalesë të papritur në Itali. Në darkën që u shtrua në ‘Lanzani Sussi’ ishin të pranishëm Calori, Dainelli, Giunti, Caracciolo, Castellazzi, Mangone, Esposito dhe Emanuele Filipini. Roberto Baggio mungonte, sepse këto ditë ndodhet në Argjentinë.

Guardiola luajti për Brescia nga shtatori 2001 deri në korrik 2002 dhe nga janari deri në korrik 2003. Një periudhë kohore që i mjaftoi atij për të hyrë në zemrat e tifozëve të Brescia dhe për të mbetur në zemrat e ish-bashkëlojtarëve të tij, të cilët e pritën me krahë hapur.

Në fund të mbrëmjes, Pep Guardiola u përshëndet me një tortë të veçantë, ku shfaqi një fotografi të tij duke ngritur trofeun e Champions League në Stamboll.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd