
Ja Morant, 23 vjeç, u pezullua nga të gjitha aktivitetet e ekipit në maj, pasi u shfaq duke mbajtur një armë dorë, gjatë një videoje të publikuar në mediat sociale. Ai e bënte këtë për herë të dytë në dy muaj. Dënimi erdhi nga NBA, që "adresoi drejtpërdrejt rrethanat të cilat e shtynë atë të përsëriste këtë sjellje destruktive".
Morant u pezullua për 8 ndeshje pas incidentit fillestar në mars. Me atë rast, një video tregonte basketbollistin duke mbajtur një armë në një klub nate në Kolorado, pas së cilës kërkoi falje.
Morant tha se është "i përkushtuar të vazhdojë të punojë me veten" pas incidentit të fundit, kur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Instagram pozoi me armë në një makinë, me disa individë të tjerë, në Memphis.
“E di që kam zhgënjyer shumë njerëz që më kanë mbështetur, – tha Morant. – Ky është një udhëtim dhe e kuptoj se ka më shumë punë për të bërë. Fjalët e mia mund të mos kenë shumë rëndësi tani, por marr përgjegjësi të plotë për veprimet".
Sezoni 2023-2024 i NBA fillon në tetor, me çdo ekip që luan 82 ndeshje. NBA tha se pezullimi i Morant fillon menjëherë dhe do të mbetet në fuqi për 25 ndeshjet e para të sezonit të ri, në të cilat nuk ka të drejtë të luajë.
"Për Ja, basketbolli duhet të jetë në plan të dytë në këtë kohë, – tha komisioneri i NBA, Adam Silver. – Vendimi i tij për të përdorur edhe një herë një armë zjarri në mediat sociale është alarmues dhe shqetësues.
Potenciali që të rinjtë e tjerë të imitojnë sjelljen e tij është veçanërisht shqetësues. Në këto rrethana, ne besojmë se një pezullim prej 25 ndeshjesh është i përshtatshëm dhe bën të qartë se përfshirja në sjellje të pamatura dhe të papërgjegjshme me armë nuk do të tolerohet".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





