Transmetuar më 17-06-2023, 10:42

Kylian Mbappé "i vuri flakën" merkatos duke njoftuar se nuk donte ta ushtronte opsionin për ta zgjatur kontratën me PSG me një vit dhe se do të qëndrojë në hijen e Kullës Eiffel, duke përmbushur afatin e caktuar për në qershor 2024.

Një skenar që ka ringjallur interesin e Real Madridit, pas tentativës së kotë të verës së kaluar, si dhe ka futur në panik klubin parizien, i cili tashmë është i gatshëm ta shesë atë për të mos e humbur falas në fund të sezonit të ardhshëm.

Zgjedhja e sulmuesit francez ka ngjallur polemika dhe ndër më kritikët ndaj tij ishte Christophe Dugarry, ish-sulmuesi, tashmë 51-vjeçar, i Milanit dhe Francës, që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 dhe më pas Kampionatin Evropianin më 2000.

"Është mjaft i bezdisshëm, – tha legjenda e futbollit francez për "Rothen s’enflamme", emision i transmetuar në "Rmc", – ka një anë të padurueshme me dëshirën që gjithmonë të ketë fjalën e fundit dhe të japë versionin e tij. Kylian po vepron keq e më keq. Shikoni se si u soll me Real Madridin dhe më pas me PSG.

Marrëveshja me Realin u krye, ai dha pëlqimin e tij dhe më pas ndryshoi mendje". Gjykimi për Mbappe si lojtar ishte i ndryshëm: "Ai pati një sezon të mirë, është një lojtar i madh dhe ndoshta më i miri në botë për momentin. Nuk kam dyshim për këtë".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd