
"Mino, e kryem! Udhëtimi ka mbaruar. Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm. Më mungon". Këto janë fjalët e Zlatan Ibrahimovic kushtuar agjentit të tij historik, Mino Raiola (i cili vdiq në prill të vitit të kaluar), me të cilat mbyll një postim rrëqethës të publikuar në Instagram.
Një lloj bilanci i aventurës së tij të gjatë në futboll, i cili përfundoi, të paktën si futbollist, me lamtumirën prekëse që tifozët e Milanit i dhanë në "San Siro", në ndeshjen e fundit në shtëpi të sezonit.
"Filloi me një ëndërr. Një ëndërr që u kthye nga e pamundur në të mundur, – shkruan Ibra (në anglisht, me një lojë fjalësh mes ‘Impossible’ dhe ‘ possibile’), duke shoqëruar një foto të këmbëve të tij.
– Unë kam lindur në Malmö, u rrita në Amsterdam, u bëra më i mençur në Torino, u bëra luan në Barcelonë. U rrita në Milano dhe pata perspektiva të reja në Paris. Fitova forcë në Manchester dhe u kënaqa në Los Angelos. Dhe më pas, më në fund gjeta paqen në tokën time të re në Milano.
Ti më krijove (thotë duke iu referuar Raiolës) dhe trashëgimia që shpresoj të lë pas janë të gjithë Zlatanët e rinj të krijuar nga unë. Të gjithë ata që kanë zemrën e një luani. Të gjithë ata që kanë zjarr në sytë e tyre.
Të gjithë ata, – përfundon Ibra, para se të citojë të gjitha skuadrat e karrierës së tij, – që e kuptojnë vërtet se e pamundura nuk është asgjë. Faleminderit për gjithçka".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





