Transmetuar më 16-06-2023, 23:00

Një deklaratë sonte e Partisë Demokratike të Shqipërisë ishte e mbushur me ironi sarkastike teksa kritikon pushtetin se nuk i mjaftojnë as shtëpi, as hotele dhe as makina, por kthen zyrat e shtetit në bordello seksi.

"Video e publikuar sot, që përmban një regjistrim të pahijshëm të kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka sjellë në vëmendje të opinionit disa fakte që lidhen me pushtetin dhe abuzimin me të.

Së pari, është përdorimi i zyrës së kryebashkiakut si dhomë gjumi apo shtëpie publike, çka shënon mungesën e respektit për institucionet dhe për votuesit.

Së dyti, është shenjë se pushteti i fituar pa të drejtë, me para dhe abuzime elektorale, çon në sjellje të tilla të padenja për një funksionar publik dhe prind.

Së treti, video e Gjicit është shenja se pushteti i Edi Ramës nuk ushtrohet ndryshe veçse duke shkelur ligjin dhe kodet e etikës, duke përdhosur zyrat e shtetit. Pushtetit të tij nuk i mjaftojnë shtëpitë, hotelet, makinat. Ky pushtet, pasi merr me forcën e abuzimit elektoral zyrat e shtetit, i kthen ato në “distrikt të dritave të kuqe”, thuhet në deklaratën e liderit demokrat, Sali Berisha.

Ky është një sistem, vijon deklarata, që ngrihet prej një dekade tashmë, dhe video e Gjicit është simptoma e kësaj mënyre të ushtruarit të tij.

"Abuzimi me postin, të konsideruarit e detyrës si mundësi për të kënaqur funksionarin dhe jo shërbyer qytetarin, për të ushtruar presion, merr formën më të plotë gjatë fushatës elektorale dhe zgjedhjeve.

Safet Gjici, si produkt i zgjedhjeve të abuzuara dhe shtrembëruara, nuk mund të kishte fund tjetër. Safet Gjici si modeli që Rama ka zgjedhur, nga Veriu në Jug, nuk mund të podhonte trashëgimi tjetër veç asaj që la në Kukës.

Një qytet të zbrazur nga ku duan të ikin të gjithë, me stadium dhe aeroport ku nuk ka tifozë dhe as udhëtarë.

Një zyrë kryebashkiaku e cila u vulos me zgjedhje të vjedhura dhe me nderin e institucionit dhe të trevës të përdhosur".

http://noa.al/lajmi/2023/06/2389502.html

Në këtë pikë, PD e Berishës pret që të zhvillohen zgjedhje të reja dhe kërkon që ato të fitohen prej saj:

"Ndërkohë që organet e ligjit bëjnë punën e tyre, dhe duke qenë se vendi i kryetarit të Bashkisë është tashmë vakant, i bëjmë thirrje Edi Ramës të njoftojë Presidentin për vakancën, dhe ky i fundit të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve.

Kuksianët kanë të drejtë të flasin me votë dhe të zgjedhin kryetarin e tyre denjësisht. Ata që zgjidhen kulisave në kulisa e mbyllin, siç vërtetoi video-regjistrimi", përfundon deklarata e PD. /noa.al

http://noa.al/lajmi/2023/06/2389493.html

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd