
Vorë- Një 44-vjeçar në Vorë u arrestua për mashtrim.
Ai akuzoi fqinjin e vet për ekskploziv, por kamerat treguan tjetër gjë.
Një 44-vjeçar u arrestua në Vorë pasi akuzoi fqinjin e tij për mbajtjen e lëndës eksplozive në banesën e tij. Megjithatë, pas përdorimit të kamerave të sigurisë, është zbuluar se ai vete ishte autor i veprës së rreme. Operacioni i koduar "Mesnata" i policisë arriti të identifikojë dhe arrestojë 44-vjeçarin pas vendosjes së lëndës plasëse (tritol) në oborrin e një 46-vjeçari. Dyshohet se qëllimi i tij ishte që pronari i banesës të akuzohej për mbajtje të lëndës eksplozive. Në vendngjarje janë sekuestruar kallëpe me tritol, fitilë ndezës, detonatorë dhe veshje që autori ka përdorur gjatë veprimit të tij.
Policia vendore informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit se një shtetas mbante lëndë eksplozive në banesën e tij, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”, për kapjen dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi S. M., 44 vjeç, banues në Prezë.
Pas kallëzimit se shtetasi K. K., 46 vjeç, mbante lëndë plasëse (tritol) në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe në oborrin e kësaj banese kanë gjetur të mbështjella në një qese plastmasi dy kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse tritol, së bashku me fitilin ndezës, dhe dy detonatorë.
Pas deklarimit të shtetasit K. K. se nuk ishte ai poseduesi i lëndës plasëse, shërbimet e Policisë kanë kryer veprime hetimore nga të cilat ka rezultuar se lënda plasëse ishte vendosur në oborrin e kësaj banese, nga shtetasi S. M., me qëllim që 46-vjeçari, pronari i banesës, të ngarkohej me përgjegjësi penale, për mbajtje të lëndës eksplozive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kallëpet me tritol, së bashku me fitilin ndezës, dy detonatorët dhe veshjet që ka mbajtur autori gjatë vendosjes së lëndës eksplozive. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.’
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





