Transmetuar më 14-06-2023, 13:15

Nga finalja e Champions League, ku vetë nuk luajti asnjë minutë, ndërsa Interi i tij u mund 1-0, por bëri një paraqitje vërtet dinjitoze, në kombëtaren shqiptare. Me siguri në këtë të fundit do të ketë hapësirat e duhura, në funksion të dy sfidave kualifikuese të “Euro 2024”, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, më 17 dhe 20 qershor.

Po flasim për Kristjan Asllanin, mesfushorin e talentuar shqiptar, që mbylli sezonin e parë në Serie A me zikaltrit. Si pjesë e konferencës së sotme për shtyp nga grumbullimi me kombëtaren, djaloshi kuqezi iu përgjigj interesimit të mediave.

Cilat ishin emocionet e finales së Champions-it?

Një emocion i madh. Jam tifoz interist që i vogël dhe të shkoja në finale me ekipin e zemrës ishte një ëndërr.

Nga Manchester City te Moldavia, si kundërshtarë…

Kam dy ditë që kam ardhur në kombëtare, kemi një grup shumë të mirë lojtarësh. Po stërvitemi fort dhe presim që në këtë ndeshje të bëjmë mirë. Është normale që Moldavia do të na presë në gjysmëfushën e vet, ndërsa ne duhet ta mbajmë topin sa më shumë.

Cila është situata juaj tek Interi?

Kam pasur pak minuta aktivizim, por kur shoh lojtarët që janë aty, është ëndërr vetëm fakti që të jem pranë tyre. Tani kam ardhur në kombëtare dhe dua që të bëj më të mirën.

Eksperienca me Interin dhe mentaliteti fitues…

Jam pjesë e një ekipi që synon të fitojë çdo ndeshje. Kam fituar dy kupa me Interin, ndërsa këtu duam të fitojmë gjithçka e të realizojmë ëndrrën tonë për të shkuar në Europian.

Si ju duket trajneri Sylvinho?

Ai është shumë i mirë, luan me modulin taktik që më pëlqen. Është trajner që flet me të gjithë dhe sa ka firmosur, ka ardhur e ka folur me mua. Kam raport shumë të mirë me të.

Cila do të jetë e ardhmja e Asllanit?

Jam lojtar i Interit dhe kjo është ëndërr për mua. Sigurisht që do të rri tek Interi.

Ajo e “Euro 2016” dhe kjo kombëtare… A mund të krahasohen?

E thashë që ky grup është shumë i mirë. Jemi disa lojtarë të rinj dhe disa të vjetër dhe shpresoj të arrijmë në finalet e Europianit. Kjo kombëtare mund të arrijë shumë lart. Kemi lojtarë të fortë dhe duhet të kërkojmë maksimumin. Shkuarja në Europianin e Gjermanisë është ëndrra jonë.

A keni një thirrje për tifozët?

Është shumë bukur të luash në Tiranë dhe shpresoj që të ketë sa më shumë tifozë në stadium. Pyeta pak më parë sa tifozë kanë blerë bileta dhe më thanë që janë 12 mijë. Jam shumë i lumtur për këtë gjë. Me trajnerin Sylvinho, duket një kombëtare më kreative dhe sulmuese?

Me Sylvinho po luajmë me 4 lojtarë mbrapa. Me Poloninë luajtëm më të tërhequr, ndërsa me Moldavinë do të jetë ndryshe. Do ta mbajmë topin gjithë ndeshjen.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd