Transmetuar më 14-06-2023, 12:45

Ditët e përgatitjeve të kuqezinjve kalojnë dhe afrohet 17 qershori, kur në “Arena Kombëtare” do të presim Moldavinë, në sfidën e dytë eliminatore të grupit për “Euro 2024”. Pasi e kemi startuar me humbjen 1-0 në Poloni këtë fushatë kualifikuese, është momenti për sukses në shtëpi, para tifozëve të zjarrtë kuqezinj.

Nga grumbullimi që ka nisur prej fillimit të këtij muaji, sot në konferencë për shtyp ka dalë mesfushori Ylber Ramadani. Në fjalën e tij, futbollisti që luan për Aberdeen në Skoci, do të shprehej para gazetarëve:

Sa presion keni para këtyre dy ndeshjeve kualifikuese?

Duhet ta marrim ndeshjen e parë me seriozitet dhe të futemi në fushë për ta fituar atë. Me rëndësi është të japim 100% nga vetja.

Si mund të çahet “bllokada” e një kombëtareje që luan pas, si Moldavia?

Moldavia ka marrë rezultate pozitive dhe mbrohet shumë. Ne duhet ta luajmë topin sa më shpejt, që të gjejmë hapësira te kundërshtari.

Si ndiheni tani, që është fundi i sezonit?

Ne jemi profesionistë, të përgatitur për çdo gjë. Kemi dhe këto dy ndeshje, pastaj përfundon sezoni për ne.

Si mund të shënosh gola ndaj Moldavisë?

Është ekip që luan shumë në mbrojtje, ndaj duhet të bëjmë atë që thotë trajneri, pasi ai e ka studiuar lojën e kundërshtarit.

A ndiheni favoritë në këtë ndeshje?

Tani në futboll nuk ka favoritë, por duhet të japësh maksimumin dhe ta fitosh ndeshjen. Në këtë ndeshje, e para e kësaj fushate kualifikuese në shtëpi, duhet të shënojmë dhe të marrim tri pikët.

Një mesazh për tifozët?

I ftojmë të gjithë tifozët anembanë të vijnë të na përkrahim, pasi me ndihmën e tyre e kemi më të lehtë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd