Transmetuar më 13-06-2023, 18:40

Foto: Foto nga ajri e kështjellës së fshatit Nishui Liugui në qytezën Humen të qytetit të Dongguan-it, provinca Guangdong e Kinës Jugore, 24 qershor 2020 / Xinhua

Dongguan-i në provincën jugore Guangdong të Kinës është cilësuar si "fabrika e botës" falë ndërmarrjeve të saj të prodhimit dhe vëllimit të tregtisë së jashtme, por tani ky qytet po lëviz përtej imazhit stereotip vetëm si një qendër për telefonat celularë dhe veshjet.

Si qyteti i 24-t kinez që ka një PBB mbi 1 trilion juanë (rreth 140.62 miliardë dollarë), Dongguan-i po përparon me anë të teknologjisë së lartë, energjisë së re dhe origjinalitetit.

Në "fabrikën e botës" gjendet një projekt tekniko-shkencor i nivelit botëror, Burimi i Shpërhapjes së Neutroneve i Kinës (CSNS). Mbi 1 000 detyra kërkimore janë kryer aty që kur filloi nga funksionimi në gusht 2018.

Chen Hesheng, drejtor i përgjithshëm i CSNS-it dhe anëtar i Akademisë Kineze të Shkencave, shpjegoi se burimi i shpërhapjes së neutroneve është si një supermikroskop që ndihmon në studimin e mikrostrukturës së disa materialeve.

"Ky funksion mund të zbulojë, për shembull, kur duhen ndryshuar pjesët e trenave me shpejtësi të lartë, për të shmangur aksidentet e shkaktuara nga amortizimi i materialeve," tha Chen.

Sipas tij, është në proces kthimi i arritjeve të CSNS-it në përdorim praktik. Tani është në zbatim faza e dytë e CSNS-it dhe bashkëpunimi ndërmjet tij dhe universiteteve e instituteve po përshpejtohet për të krijuar instrumente të kërkimit shkencor.

Chen Hesheng e quajti CSNS-in infrastrukturën më të rëndësishme pas Qendrës së Gjithanshme Shkencore Kombëtare në Zonën e Madhë të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao.