Transmetuar më 12-06-2023, 23:32

SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë sonte se situata në Kosovë po komplikohet dhe se Serbia është e gatshme për kompromise, por se duhet tërheqja e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës. Vuçiç në televizioni Happy ka thënë se as biseda e sotme me serbët nga Kosova nuk ka qenë e lehtë dhe se as për ta nuk është e lehtë kur flasin me njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“Ne jemi të gatshëm për kompromis, thjesht po ju kërkoj që të largoni kryetarët e rrejshëm nga ndërtesat e komunës, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për kompromise, por edhe të fillojë formimi i Asociacionit”, tha Vuçiç.

Ai tha se ka pasur diskutime të vështira për Kosovën.

“Kam pasur një bisedë jo aq të lehtë me Miroslav Lajçakun, me disa përfaqësues amerikanë dhe me një nga përfaqësuesit më të lartë të BE-së. Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë”, theksoi Vuçiç.

Ai tha se nuk përjashton mundësinë që dikush të dëshirojë konflikte, duke shtuar se kjo dëshirë ekziston në tre apo katër vende.

“Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë. Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, konflikt. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, tha ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd