
Të shkosh të luash futboll në Ukrainën e përfshirë nga lufta, në mesin e bombardimeve ruse, është më shumë se sakrificë njerëzore. Megjithatë, ka njerëz që pasioni i dërgon kudo, sikurse është rasti i Taulant Seferit. Sulmuesi i kombëtares sonë kuqezi u transferua nga Tirana te Vorskla Poltava më 2022. Sot ishte radha e tij të dilte në konferencë për shtyp nga grumbullimi kuqezi, ku u pyet edhe për këtë pjesë të karrierës, që e ngërtheu me pushtimin rus të Ukrainës.
Idetë e Sylvinho – “Në një intervistë më parë kam thënë se Sylvinho ka sjellë pozitivitet. Jemi të gjithë së bashku dhe shumë të lumtur. Nuk kemi pasur shumë kohë për të punuar para Polonisë, por kemi luajtur shumë mirë. Jemi një grup i mirë dhe pozitiv”.
Vështirësia përballë Moldavisë – “Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne duhet të fokusohemi tek idetë e trajnerit. Do ta analizojmë kundërshtarin dhe do të japim maksimumin në fushë. Kemi punuar shumë gjatë javës”.
Forma e sulmuesve – “E thashë se gjithçka është pozitive, shoh harmoni dhe bashkëpunim mes lojtarëve. Ne nuk e dimë se kush do të luajë titullar, por do të japim maksimumin, vendimin e merr trajneri. Janë dy ndeshje të rëndësishme dhe nuk mund të mendojmë se është fundi i kualifikueseve. Duhet t’i ruajmë energjitë. Pesha e përgjegjësisë është e gjithë ekipit, jo vetëm e sulmuesve, shpresoj të shënojmë”.
Objektivi në këto dy ndeshje – “Ne jemi të fokusuar te ndeshja e parë me Moldavinë. Duam fitoren, pastaj do të shohim takimin e radhës. Sigurisht që duam maksimumin e pikëve, por do të flasim pas dy ndeshjeve”.
Mbështetja e tifozëve – “Tifozët janë shtysa jonë e madhe. U bëj thirrje të na mbështesin, shpresoj të jenë në stadium në numër sa më të madh”.
Futboll mes luftës në Ukrainë – “Firma me Vorsklan erdhi në fund dhe doja të ikja nga Shqipëria. Ishte e vështirë më shumë për familjen time. Nuk kam pasur shumë probleme, sepse aty ku jemi ne është qetë. Nuk është kampionat normal, sepse ka luftë. Ka disa ndeshje që ndërpriten nga alarmi i sulmit ajror, por shyqyr Zotit e mbarova kampionatin”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





